Masa ishte vendosur që në vitin 1981 me ardhjen në pushtet të Hosni Mubarak
Egjipti heq gjendjen e jashtëzakonshme të shpallur që prej vitit 1981, vit kur u vra Anwar Sadat dhe erdhi në pushtet Hosni Mubarak. Lajmi u bë i ditur nëpërmjet një njoftimi të Këshillit suprem të Forcave të Armatosura egjiptiane, i cili është zotuar se do të vijojë “të mbrojë” popullin egjiptian.
Këshilli ka siguruar se do t’u përmbahet: “përgjegjësive kombëtare dhe historike, pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme, në respekt të ligjit dhe detyrimeve kushtetuese”. Pas referendumit të marsit u vendos që vetëm Parlamenti ka të drejtë të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, me kërkesë të qeverisë.
Ligji për gjendjen e jashtëzakonshme, që lejon mbajtjen e personave të dyshuar pa i inkriminuar dhe zhvillimin e gjyqeve speciale, kishte ndryshuar në maj të vitit 2010. Por pas revolucionit të janarit të vitit 2011 dhe largimit të Mubarak, ishin shtuar kërkesat për revokimin e tij, pasi kufizonte të drejtat civile dhe politike. Ushtarakët vijonin ta aplikonin për të shtypur protestat në për sheshe dhe rrugë.
31 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)