Zyra e Zonjës së Parë të SHBA-së, Melania Trump, ka reaguar ndaj spekulimeve për një marrëdhënie mes presidentit Donald Trump dhe asistentes së tij, Natalie Harp, duke i cilësuar raportimet si thashetheme.

Harp, një prej bashkëpunëtoreve më të afërta të Trumpit, është përmendur së fundmi në deklarata të senatorit Jon Ossoff dhe në raportime mediatike që sugjerojnë se ajo ka një rol të veçantë në rrethin e presidentit.

Marc Beckman, përfaqësues i Melania Trump, i hodhi poshtë pretendimet, duke mbrojtur edhe Harp. Ai tha se mediat nuk kanë informacion mbi jetën private të familjes presidenciale dhe i akuzoi për fokusim te thashethemet.

Emri i Harp është përmendur gjithashtu në raportet financiare të administratës Trump, pasi ajo rezulton se ka marrë një dhuratë prej 45 mijë dollarësh nga presidenti.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha për BBC se Trump ka një traditë të gjatë të dhurimit të dhuratave të Krishtlindjeve për persona të afërt, përfshirë punonjës dhe asistentë, dhe se këto dhurata nuk lidhen me detyrat e tyre zyrtare.