Heshtja e Iranit pas sulmit masiv të Izraelit kundër objekteve të tij bërthamore nuk ka gjasa të zgjasë edhe shumë, thonë ekspertët e Iranit, duke paralajmëruar se Teherani do të hakmerret menjëherë pasi “Rubikoni është kaluar”.

“Udhëheqja e Iranit ka të ngjarë të jetë duke u lëkundur, por kjo heshtje nuk ka gjasa të zgjasë”, tha Sina Toossi, bashkëpunëtore e lartë në Qendrën për Politikë Ndërkombëtare, në një deklaratë për CNN.

“Një hakmarrje në shkallë të gjerë, që ka të ngjarë të përfshijë sulme me dronë dhe raketa në territorin izraelit, duket e afërt”, tha Toossi, duke shtuar se “në vend që të dëmtojë aftësitë ushtarake dhe bërthamore të Iranit, përshkallëzimi i situatës nga Izraeli rrezikon të nxisë ndjenjat nacionaliste, të forcojë kohezionin e brendshëm dhe të shkaktojë një cikël të rrezikshëm hakmarrjeje, ndërkohë që rrit mundësinë e përfshirjes amerikane”.

Trita Parsi, nënkryetare ekzekutive e Institutit Quincy në Uashington, DC, tha se do të ishte e vështirë për Iranin të mos hakmerrej, duke shtuar se përgjigjja e Iranit ka të ngjarë të jetë më e madhe se sulmi i tij në tetor, ku raketat iraniane sulmuan bazat ushtarake izraelite. Megjithatë, është e paqartë se sa kohë do t’i duhet Iranit për t’u rikuperuar nga goditjet e Izraelit.

Në sulmin e tij, Izraeli “është përpjekur të shkatërrojë disa nga normat rreth përdorimit të forcës dhe të drejtës ndërkombëtare, për ta sjellë atë në një situatë ku është ligji i xhunglës”, tha Parsi.

Sina Toussi përmendi gjithashtu se Trump e kishte paralajmëruar Izraelin të mos vazhdonte me sulme, por vuri në dukje se “pavarësisht nëse ishte një dredhi strategjike apo një pengesë e vërtetë, tani është e parëndësishme. Rubikoni është kaluar”, tha Toussi.