Një studim i ri shkencor ka ngritur alarmin për të ardhmen e popullsisë globale, duke paralajmëruar se numri i banorëve në Tokë mund të pësojë një rënie drastike deri në vitin 2064.

Sipas kërkimit të publikuar në revistën shkencore Chaos, Solitons & Fractals, ekspertët nga Universiteti i Milanit kanë analizuar evolucionin e popullsisë njerëzore gjatë 12 mijë viteve të fundit dhe kanë ndërtuar modele matematikore për të kuptuar ndikimin që mund të kenë krizat globale në të ardhmen.

Studiuesit paralajmërojnë se faktorë si ndryshimet klimatike, pandemitë, konfliktet ndërkombëtare dhe mungesa e burimeve natyrore mund të ndikojnë ndjeshëm në tkurrjen e popullsisë botërore.

Sipas skenarit më ekstrem të analizuar në studim, popullsia globale, që aktualisht llogaritet në rreth 8.3 miliardë banorë, mund të përgjysmohet brenda katër dekadave të ardhshme.

Ekspertët theksojnë se nuk bëhet fjalë për një parashikim të sigurt, por për një model teorik që tregon sa e brishtë mund të bëhet popullsia përballë krizave të mëdha mjedisore.

Në raport përmendet edhe teoria e njohur e “Ditës së Kiametit”, e cila në vitet 1960 parashikonte një kolaps të popullsisë globale, megjithatë skenari u shmang falë uljes së normave të fertilitetit në nivel botëror.

Ndërkohë, studiuesit vlerësojnë se për të shmangur rënien drastike të popullsisë, norma mesatare e lindjeve duhet të jetë rreth 2.7 fëmijë për çdo grua, në një kohë kur shumë vende po përballen me rënie të lindshmërisë.

Shqetësime të ngjashme ka ngritur vazhdimisht edhe Elon Musk, i cili ka paralajmëruar se ulja e lindshmërisë mund të sjellë probleme serioze ekonomike dhe mungesë të fuqisë punëtore në dekadat e ardhshme.