Një ngjarje e rëndë kriminale ka ndodhur në Izrael, ku Yanis Yushbaev, i njohur nga autoritetet për përfshirje të dyshuar në aktivitete kriminale, është ekzekutuar me armë zjarri në një pikë karburanti pranë Cesareas.

Ngjarja ka ndodhur në mes të ditës. Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, një person i është afruar Yushbaevit dhe e ka qëlluar nga afër, përpara se të largohej nga vendi i ngjarjes.

Shërbimet e emergjencës kanë mbërritur menjëherë dhe e kanë gjetur rreth 45-vjeçarin në gjendje kritike, pa puls dhe pa frymëmarrje. Pavarësisht përpjekjeve për reanimim dhe ndërhyrjes mjekësore, ai nuk ka mundur të mbijetojë. Vdekja e tij është konfirmuar në spitalin Hillel Yaffe.

Yushbaev, banues në Or Akiva, ishte një person i njohur për policinë izraelite dhe konsiderohej një objektiv i rëndësishëm i hetimeve të strukturave kriminale në zonën e Haderës.

Ai ishte arrestuar disa herë në vitet e fundit nën dyshimin për përfshirje në ngjarje të rënda, mes tyre hedhje granatash ndaj banesave dhe bizneseve, të shtëna me armë dhe zjarrvënie të automjeteve.

Policia e Haderës ka nisur hetimet për zbardhjen e atentatit dhe identifikimin e autorit. Në vendngjarje ka mbërritur edhe Komisioneri i Policisë së Izraelit, Dani Levy.

Hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe provat e mbledhura në vendin e krimit, ndërsa ende nuk janë bërë të ditura detaje mbi motivin e ekzekutimit.