Për herë të parë pas më shumë se gjashtë dekadash, shteti amerikan i Floridës ka ekzekutuar dy të dënuar me vdekje brenda një intervali prej vetëm gjashtë orësh.
James Aren Duckett, 68 vjeç, u ekzekutua më 28 korrik rreth orës 12:00 me orën lokale, ndërsa disa orë më vonë, në orën 18:00, u ekzekutua edhe Dominick Anthony Occhicone, 80 vjeç. Të dy dënimet u zbatuan përmes injeksionit vdekjeprurës.
Duckett kishte kaluar më shumë se 30 vjet në pritje të dënimit. Ai ishte shpallur fajtor për përdhunimin dhe vrasjen e një vajze 11-vjeçare në vitin 1987, në kohën kur shërbente si oficer policie në një qytet të Floridës.
Gjatë procesit të apelimit u paraqitën prova të ADN-së në përpjekje për të rrëzuar dënimin, por Gjykata e Floridës vendosi se ato nuk ishin të mjaftueshme për ta shpallur të pafajshëm ish-policin.
Nga ana tjetër, Occhicone ishte dënuar për vrasjen e prindërve të ish-të dashurës së tij në vitin 1986. Ai u shpall fajtor për vrasje të dyfishtë dhe kaloi gjithashtu disa dekada në korridorin e vdekjes përpara ekzekutimit.
Sipas autoriteteve, të dy ekzekutimet u kryen me injeksion vdekjeprurës, një procedurë që përfshin administrimin e një kombinimi ilaçesh, një qetësues, një substancë paralizuese dhe një medikament që ndalon funksionimin e zemrës.
