Një atentat me armë zjarri i ka marrë jetën biznesmenit të njohur bullgar Ilian Filipov në qytetin e Plovdivit. Sipas të dhënave paraprake, ai është qëlluar në kokë dhe ka ndërruar jetë në vend.
Ngjarja është regjistruar gjatë orëve të para të mëngjesit. Ministria e Brendshme e Bullgarisë bëri të ditur se rreth orës 01:00 autoritetet u njoftuan për një person të plagosur me armë zjarri në një zonë të Plovdivit.
Patrullat e policisë dhe ekipet e emergjencës u drejtuan menjëherë në vendngjarje, por Filipov nuk mundi të mbijetonte. Zona u sigurua nga policia, ndërsa hetuesit nisën mbledhjen e provave për të rindërtuar dinamikën e vrasjes.
Filipov ishte një emër i rëndësishëm në sektorin bullgar të transportit. Ai njihej si themelues dhe drejtues ekzekutiv i PIMK, një prej kompanive më të mëdha të transportit në Bullgari, me aktivitet edhe në tregun evropian.
Përveç biznesit, ai kishte një prani të rëndësishme edhe në futboll. Filipov kishte drejtuar Botev Plovdiv si president dhe emri i tij ishte lidhur ngushtë me projektin për rindërtimin e stadiumit “Hristo Botev”.
Në këtë fazë të hetimeve, autoritetet bullgare nuk kanë bërë publik një motiv të mundshëm të atentatit. Gjithashtu, nuk janë dhënë të dhëna zyrtare për identitetin apo numrin e personave që mund të jenë përfshirë në vrasje.
Lajmi ka sjellë reagimin e Botev Plovdiv, që përmes një mesazhi publik përkujtoi kontributin e Filipovit për klubin dhe rolin e tij në përfundimin e stadiumit.
“Ilian Filipov do të mbetet përgjithmonë pjesë e historisë së Botev Plovdiv”, thuhet ndër të tjera në reagimin e klubit, i cili vlerësoi angazhimin e tij për ekipin dhe e përfundoi mesazhin me fjalët: “Përulemi para kujtimit të tij”.
