Në shtetin amerikan të Alabamës, u ekzekutua një burrë i dënuar për vrasje, duke përdorur një metodë të kontestuar të quajtur “hipoksi azoti”, njoftoi Zyra e Prokurorit të Shtetit të Alabamës. Anthony Todd Boyd (57 vjeç) u ekzekutua në burgun e qytetit Atmore për vrasjen e Gregory Huguley në vitin 1993. Sipas prokurorisë, Boyd dhe bashkëpunëtorët e tij rrëmbyen Huguley për një borxh prej 200 dollarësh të lidhur me kokainën. Viktima më pas u dërgua në një fushë bejsbolli dhe u dogj ndërsa ishte lidhur pas një stoli.

Boyd u shpall fajtor për vrasje të rëndë në vitin 1995 dhe u dënua me vdekje. Ekzekutimi i tij ishte shtyrë për pothuajse tri dekada, por u krye të enjten pasi Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara refuzoi të ndërhynte. Boyd në fjalët e tij të fundit mohoi fajësinë. “Thjesht dua ta them edhe një herë, nuk kam vrarë askënd, nuk kam marrë pjesë në vrasjen e askujt. Dua që të gjithë të dinë se në këtë shtet nuk ka drejtësi”, tha Boyd.

Prokurori i shtetit Steve Marshall deklaroi pas ekzekutimit se Boyd “nuk ka paraqitur kurrë asnjë provë që të tregojë se juria ka gabuar”. Gazeta USA Today raporton se Boyd më parë kishte kërkuar të ekzekutohej me skuadrën ekzekutuese, në vend të hipoksisë me azot, edhe pse në vitin 2018 ishte hera e parë që vetë kishte kërkuar këtë metodë.

Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë Elena Kagan, Sonia Sotomayor dhe Ketanji Brown Jackson u kundërshtuan përdorimin e gazit të azotit. Në opinionin e saj të veçantë, gjyqtarja Sotomayor shkroi se Boyd kishte kërkuar formën më të thjeshtë të mëshirës, të vdiste nga skuadra ekzekutuese, që do ta vriste brenda disa sekondave, në vend të mbytjes së dhimbshme që zgjat deri në katër minuta.