Elon Musk ka marrë gjatë vitit 2025 një kompensim nga Tesla që ishte rreth 2.5 milionë herë më i madh se ai i punonjësit mesatar të kompanisë. Shifra prej 158.3 miliardë dollarësh ka ndikuar ndjeshëm edhe në raportin mes pagave të drejtuesve dhe punëtorëve në kompanitë më të mëdha amerikane.
Të dhënat vijnë nga raporti i AFL-CIO, federata më e madhe e sindikatave në SHBA, e cila analizon hendekun mes kompensimit të drejtuesve të korporatave dhe pagave të punonjësve.
Sipas raportit, duke përjashtuar Musk-un, CEO-t e kompanive të indeksit S&P 500 fituan mesatarisht 312 herë më shumë se punonjësi mesatar në vitin 2025. Një vit më parë, raporti ishte 285 me 1.
Por përfshirja e paketës së Musk-ut e ndryshon ndjeshëm mesataren. Raporti mes kompensimit të CEO-ve dhe punonjësve arrin në 5,387 me 1.
Kompensimi mesatar i një CEO-je të S&P 500, pa përfshirë Musk-un, arriti në 22.8 milionë dollarë në vitin 2025, nga 18.9 milionë dollarë në vitin 2024.
Me përfshirjen e paketës së Musk-ut, mesatarja e kompensimit të CEO-ve ngrihet në 340.1 milionë dollarë.
Musk merrte në pak sekonda pagën e një punonjësi
Sipas AFL-CIO, vetëm gjatë vitit 2025 Musk fitonte në intervale prej pak sekondash një shumë të barabartë me pagën mesatare të një punonjësi të Tesla-s.
Raporti sjell edhe një tjetër krahasim: shumica e CEO-ve të kompanive të S&P 500 fituan brenda një dite më shumë sesa një punëtor mesatar amerikan në një vit të plotë.
AFL-CIO e përdor këtë diferencë si tregues të rritjes së pabarazisë së të ardhurave në ekonominë amerikane. Sipas të dhënave të përfshira në raport, pjesa e të ardhurave kombëtare që shkon te punëtorët ka rënë në nivelin më të ulët që nga periudha pas Luftës së Dytë Botërore.
Edhe të ardhurat e Trump në raport
Raporti analizon edhe të ardhurat e presidentit amerikan Donald Trump gjatë vitit 2025.
Sipas shifrave të cituara, Trump siguroi rreth 2.2 miliardë dollarë, pjesa kryesore e të cilave lidhet me zotërimet e tij në kriptovaluta. Kjo përfaqëson një rritje prej rreth 254% krahasuar me vitin 2024.
Për të siguruar një shumë të tillë, punëtori mesatar amerikan do t’i duhej të punonte për rreth 43,154 vjet, sipas llogaritjeve të raportit.
Sekretari-arkëtar i AFL-CIO, Fred Redmond, e ka lidhur këtë diferencë me përqendrimin e pasurisë dhe me politikat ekonomike që, sipas tij, favorizojnë drejtuesit e korporatave dhe shtresat më të pasura në SHBA.
