Emri i miliarderit Elon Musk përmendet në dosjet e reja që lidhen me Jeffrey Epstein, duke ngritur dyshime për një vizitë të mundshme të themeluesit të SpaceX në ishullin privat të financierit të ndjerë. Dokumentet u publikuan së fundmi nga demokratët në Komitetin Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së dhe janë raportuar nga Sky News.
Sipas materialeve të bëra publike, në një shënim të datës 6 dhjetor 2014, në axhendën personale të Epstein thuhet: “Kujtesë: Elon Musk në ishull, 6 dhjetor (a është ende e vlefshme kjo?)”. Nuk ka prova të mëtejshme që konfirmojnë se vizita është realizuar, por data është e rëndësishme pasi Epstein ishte regjistruar zyrtarisht si abuzues seksual që prej vitit 2008.
Në të njëjtat dokumente përmendet gjithashtu edhe Princi Andrew si një nga pasagjerët në avionin privat të Epstein. Udhëtimi i përmendur është nga Teterboro, New Jersey, drejt Palm Beach, Florida, më 12 maj të vitit 2000. Në bord ishin edhe Ghislaine Maxwell, e dënuar më vonë për trafikim seksual, si dhe dy persona të tjerë, emrat e të cilëve janë redaktuar.
Një prej viktimave që ka akuzuar Epstein për abuzim seksual deklaroi para gjykatës se kishte udhëtuar në të njëjtin avion me Princin Andrew, ndërsa ajo ishte vetëm 14 vjeçe në atë kohë.
Elon Musk, nga ana tjetër, ka mohuar më parë çdo lidhje me Epstein. Në një postim në rrjetin social X, në qershor të kaluar, ai ka sugjeruar se edhe presidenti Donald Trump ka pasur lidhje me Epstein dhe ka akuzuar administratën për fshehjen e informacionit – por më pas këto postime janë fshirë dhe nuk ka pasur prova që i mbështesin ato pretendime.
Publikimi i këtyre dokumenteve ka rindezur interesin për lidhjet e mundshme të figurave publike dhe të pasura me Jeffrey Epstein dhe aktivitetet e tij kriminale, duke sjellë edhe një herë në vëmendje misteret e shumta që rrethojnë këtë çështje.