Themeluesi i Tesla dhe SpaceX, Elon Musk, ishte një nga 17 drejtuesit ekzekutivë që shoqëruan presidentin amerikan Donald Trump gjatë vizitës së tij në Pekin dhe takimit zyrtar me presidentin kinez Xi Jinping.

Por ajo që tërhoqi më shumë vëmendje gjatë kësaj vizite nuk ishin vetëm takimet diplomatike, por prania e djalit të vogël të Musk, 6-vjeçarit X Æ A-12, i njohur edhe si “X”.

Në pamjet e shpërndara nga vizita, vogëlushi shfaqet në tapetin e kuq të pallatit presidencial të Xi Jinping, duke mbajtur për dore të atin, ndërsa në dorën tjetër mban një çantë prej pellushi.

Pranë tyre shihen edhe truprojat e sigurisë, teksa X duket i mahnitur nga atmosfera dhe madhështia e ambienteve zyrtare. Sipas raportimeve, kjo nuk është hera e parë që djali i Musk shfaqet në evente të rëndësishme politike.

Gjatë dy viteve të fundit, ai ka qenë i pranishëm në disa dalje publike, përfshirë edhe në Shtëpinë e Bardhë, ku është parë pranë Donald Trump, si dhe në Kapitol pas zgjedhjeve të vitit 2024.

Më 11 shkurt 2025, gjatë një vizite në Zyrën Ovale, Trump e prezantoi djalin e Musk para mediave duke e quajtur “një djalë të jashtëzakonshëm me IQ të lartë”.

Në një tjetër moment, kamerat e kapën vogëlushin duke pushuar mbi supet e të atit gjatë deklaratave zyrtare.