Një figurë e lartë drejtuese ISIS është kapur në Turqi, me akuzat se po planifikonte sulme terrorist në disa shtete të Evropës.
Mësohet se është kapur Mehmet Goren, i konsideruar si një nga figurat e larta të grupit terrorist ISIS në rajonin Afganistan–Pakistan. Sipas informacioneve, Goren kishte marrë pjesë aktive në kampet e ISIS-it dhe me kalimin e kohës ishte ngjitur në një pozicion administrativ brenda strukturës së grupit. Ai njihej me emrin e koduar “Yahya” dhe ishte ngarkuar me organizimin dhe drejtimin e sulmeve vetëvrasëse në emër të organizatës terroriste.
Burimet e sigurisë bëjnë me dije se i dyshuari kishte rënë dakord të kryente sulme që synonin civilë në Afganistan, Pakistan, Turqi dhe vende të Evropës. Hetimet e MIT-it kanë zbuluar se Goren kishte udhëtuar nga Turqia drejt rajonit Afganistan–Pakistan dhe kishte mbijetuar edhe sulme ajrore të kryera kundër elementëve të ISIS-it në Pakistan.
Gjithashtu, mësohet se ai kishte vepruar në bashkëpunim me Ozgur Altun, me emrin e koduar Abu Yasir Al Turki, i cili më parë kishte luajtur rol aktiv në transferimin e anëtarëve të ISIS-it nga Turqia drejt rajonit Afganistan–Pakistan.


