Emri i miliarderit Elon Musk, së bashku me atë të vëllait të tij, Kimbal Musk, është zbuluar se figuron në dokumentet ende të klasifikuara që lidhen me çështjen Jeffrey Epstein, sipas një raportimi të publikuar nga “Daily Mail”.
Referenca ndaj dy vëllezërve Musk thuhet se del nga një seancë marrjeje në pyetje në burg me Ghislaine Maxwell, ish-bashkëpunëtore dhe e dashura e Epstein, e cila aktualisht po vuan dënimin për trafikim të të miturve dhe abuzim seksual.
Megjithatë, nuk është konfirmuar nëse përfshirja e emrit të Elon Musk nënkupton një lidhje direkte apo është thjesht përmendje në kontekst, një fakt që ka ndezur debat dhe spekulime në opinionin publik dhe mediat ndërkombëtare.
Ironikisht, lajmi vjen vetëm pak kohë pasi Elon Musk akuzoi publikisht Donald Trump se po përpiqej të bllokonte publikimin e dokumenteve të çështjes Epstein, duke sugjeruar se ish-presidenti amerikan kishte “diçka për të fshehur”.
Tani, sipas “Daily Mail”, vetë Musk mund të jetë një nga ata që figurojnë në dokumentet që ai vetë kërkonte të bëheshin publike një kthesë që shumë e shohin si hakmarrje politike ose mediatike, në sfondin e përplasjes mes Musk dhe Trump në rrjetin social X.
Në seancën me Maxwell, hetuesit federalë e kanë pyetur atë për një listë prej mbi 100 personash të lidhur me Epstein, përfshirë figura të njohura ndërkombëtare si:
Princi Andrew
Bill Clinton
Bill Gates
Alan Dershowitz
Les Wexner
Leon Black
Sipas burimeve të afërta me hetimin, kjo ishte hera e parë që Maxwell është pyetur zyrtarisht për princin Andrew dhe të tjerët, dhe ajo është përshkruar si e sinqertë dhe e gatshme për bashkëpunim.
Aktualisht nuk ka prova konkrete që Musk të jetë i përfshirë në ndonjë aktivitet të paligjshëm të lidhur me Epstein. Por vetë përmendja e tij në këtë çështje të ndjeshme dhe të mbuluar nga sekrete mund të dëmtojë reputacionin e tij në një moment kritik, kur ai drejton kompani të profilit të lartë si Tesla, SpaceX dhe rrjetin social X.
Ndërkohë, Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Todd Blanche, pritet të zhvillojë një takim me Donald Trump, pas kthimit të këtij të fundit nga Skocia. Në fokus do të jetë pikërisht dëshmia e Ghislaine Maxwell dhe mundësia e një marrëveshjeje për bashkëpunim në këmbim të lehtësimit të dënimit të saj – një zhvillim që mund të trazojë më tej ujërat në këtë çështje shumëvjeçare.