Një shtetas shqiptar, Besjan Karaj, 27 vjeç, është dënuar me pesë vite burg në Mbretërinë e Bashkuar pas një aksidenti të rëndë dhe një rasti mashtrimi ndaj një kompanie sigurimesh. Vendimi u dha më 26 shtator nga Gjykata e Lartë e Oxfordit, pas një hetimi të thelluar nga Policia e Thames Valley.

Karaj, banues në Field Avenue, Oxford, u shpall fajtor për shkaktim lëndimesh përmes drejtimit të rrezikshëm dhe mashtrim me përfaqësim të rremë.

Ngjarja ndodhi më 13 korrik 2024, kur Karaj, duke drejtuar automjetin e tij në rrugën B4017, humbi kontrollin në një kthesë duke hyrë në korsinë e kundërt dhe u përplas me një motorist 22-vjeçar, të cilin e la të plagosur rëndë në vendin e ngjarjes, pa ndaluar për ndihmë.

Vetëm një milje larg vendit të përplasjes, policia gjeti makinën e Karajt në flakë, ndërsa mbetjet në vendngjarje përfshirë targën dhe logon e automjetit ndihmuan në identifikimin e tij. Hetimet u forcuan edhe më shumë nga të dhënat e celularit, që e vendosën Karajn në vendin e aksidentit dhe pranë vendit ku makina u dogj.

Në një përpjekje për të mashtruar kompaninë e sigurimeve, Karaj pranoi se ishte drejtuesi i mjetit, por tentoi të fajësonte motoristin për aksidentin.

Përveç dënimit me burg, Karaj u pezullua nga e drejta për të drejtuar automjete për 5 vite e gjysmë, dhe do të duhet të kalojë një test të avancuar për të rimarrë patentën.