Pyetje të reja për shkaqet e vdekjes së Jeffrey Epstein, i cili u gjet i pajetë në qelinë e tij në gusht të vitit 2019, ndërsa priste të dilte në gjyq për akuza mbi trafikim seksual të të miturve, ngre patologu Michael Baden, i cili kishte marrë pjesë në autopsi si vëzhgues në emër të familjes së financierit.

Dr. Michael Baden deklaron se “ende nuk është bindur” nga përfundimi i Shërbimit të Mjekësisë Ligjore të Nju Jorkut, i cili kishte vendosur se Epstein kishte kryer vetëvrasje me varje. Siç theksoi në një intervistë për gazetën “The Telegraph”, vdekja e tij ka shumë gjasa të jetë shkaktuar nga mbytje dhe jo nga varje.

Ai shtoi se bazuar në të gjitha informacionet, justifikohet një hetim i mëtejshëm për shkakun dhe mënyrën e vdekjes. Dr. Baden nuk e kreu vetë autopsinë e 11 gushtit 2019, por ishte i pranishëm si vëzhgues. Sipas tij, në atë moment si ai ashtu edhe shërbimi i mjekësisë ligjore ranë dakord se nevojiteshin më shumë të dhëna për të përcaktuar përfundimisht shkakun e vdekjes.

Në një version të deklasifikuar të raportit të autopsisë, i publikuar në dhjetor në kuadër të publikimit të parë të ashtuquajturave “dosjet Epstein” nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, “mënyra e vdekjes” figuron si “në pritje”, ndërsa fushat “vetëvrasje” dhe “vrasje” rezultojnë bosh.

Sipas Baden, pesë ditë pas publikimit të certifikatës së vdekjes me shënimin “në pritje të hetimit të mëtejshëm”, kryemjekja ligjore e atëhershme e Nju Jorkut, dr. Barbara Sampson, vendosi se vdekja kishte ardhur si pasojë e varje­s dhe e klasifikoi mënyrën e saj si “vetëvrasje”.

Ai pretendon se dr. Sampson nuk ishte e pranishme në autopsi, ndërsa ajo ka hedhur poshtë publikisht pretendimet e tij, duke deklaruar se e mbështet përfundimin e saj.

Avokatët e Epstein kishin deklaruar në atë kohë se rezervat e Baden përputheshin me të tyret dhe se “nuk ishin të kënaqur” me gjetjet e mjekësisë ligjore. Vetë patologu thekson se nuk ka parë prova që të vërtetojnë se është kryer një studim i mëtejshëm para vendimit përfundimtar.

Raporti zyrtar përmend tre fraktura në qafë, një në kockën hioide të majtë dhe dy në kërcin tiroide, djathtas dhe majtas. Sipas Baden, në 50 vite përvojë me rishikime të vdekjeve të të burgosurve, nuk ka hasur asnjë rast vetëvrasjeje me varje me tre fraktura në qafë.

“Edhe një frakturë kërkon hetim për mundësi vrasjeje. Dy sigurisht që kërkojnë hetim të plotë”, thekson ai.

Nga ana tjetër, dr. Sampson ka argumentuar se frakturat e kockës hioide dhe të kërcit mund të vërehen si në rastet e vetëvrasjes, ashtu edhe në ato të vrasjes.