Policia e Skocisë ka nisur një hetim lidhur me vizitat e Jeffrey Epstein dhe bashkëpunëtores së tij, Ghislaine Maxwell, në rezidencën mbretërore të Balmoral, pas informacioneve të mbërritura në autoritetet përkatëse.
Sipas raportimeve, dyshja ka vizituar pronën mbretërore në vitin 1999, me ftesë të Princit Andrew, i cili në atë kohë ishte një nga figurat më të njohura të familjes mbretërore britanike.
Një zëdhënës i Policisë së Skocisë konfirmoi se çështja është nën hetim, duke sqaruar se procedurat ndodhen ende në fazat fillestare.
“Çdo hetim bazohet në prova, duke vendosur në qendër nevojat e viktimave dhe të mbijetuarve. Ne nuk japim detaje për hetimet në vazhdim dhe do të ishte e papërshtatshme të komentonim më tej”, deklaroi përfaqësuesi i policisë.
Kështjella Balmoral, e vendosur në Skoci, është në pronësi të familjes mbretërore britanike që prej vitit 1852, kur u ble nga Mbretëresha Victoria dhe Princi Albert. Ajo është një prej rezidencave më të preferuara të familjes mbretërore dhe vendi ku Mbretëresha Elizabeth II ndërroi jetë në shtator të vitit 2022, në moshën 96-vjeçare.
Nisja e hetimeve vjen në një periudhë kur lidhjet e ish-Princit Andrew me Jeffrey Epstein vijojnë të shkaktojnë polemika dhe tronditje për monarkinë britanike.
Në fund të vitit të kaluar, Mbreti Charles i hoqi të vëllait titujt princ dhe dukë, pas kritikave të vazhdueshme për marrëdhënien e tij me financierin amerikan, i dënuar për krime seksuale.
Andrew u arrestua më 19 shkurt, në ditën kur mbushi 66 vjeç, nën dyshimin për sjellje të keqe gjatë ushtrimit të detyrës publike. Arrestimi erdhi pas akuzave se ai kishte ndarë informacione të ndjeshme me Epstein, gjatë kohës kur shërbente si i dërguar tregtar i Mbretërisë së Bashkuar.
Ish-princi u mor në pyetje nga autoritetet dhe më pas u lirua, ndërsa hetimet ndaj tij vijojnë. Andrew ka mohuar kategorikisht çdo shkelje apo sjellje të papërshtatshme.
