Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të martën se Ankaraja do të ndjekë nga afër zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza dhe do të vazhdojë të kontribuojë në përpjekjet për paqe dhe krijimin e një shteti palestinez.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Erdogan falënderoi Presidentin amerikan Donald Trump për, siç tha ai, “vullnetin politik të treguar për të inkurajuar qeverinë izraelite drejt armëpushimit”, si dhe rolin ndërmjetësues të Katarit dhe Egjiptit. Megjithatë, në deklaratën e tij mungoi çdo referencë për rolin e drejtpërdrejtë të Izraelit në këtë proces.
Sipas mediave ndërkombëtare, përfshirë Jerusalem Post, Turqia, Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara janë nënshkrues dhe garantues të marrëveshjes së armëpushimit, që synon t’i japë fund përshkallëzimit të dhunës në Rripin e Gazës dhe të hapë rrugën për një zgjidhje afatgjatë politike në rajon.