Tensionet mes dy vendeve janë rritur këtë javë, pasi Turqia dërgoi një anije në rajon, të shoqëruar nga anije luftarake, për të kërkuar naftë dhe gaz në një zone, për të cilën të dyja vendet thonë se është në juridiksionin e tyre.
Teksa Turqia njoftoi mbajtjen në ajër për 24 orë të 8 avionëve të pajisur me raketa gati për të qëlluar, kryeministri grek Mitsotakis ka vizituar dje një bazë ajrore të forcave greke.
Në fotot e publikuara nga mediat greke duket momenti i vizitës së kryeministrit helen në bazën ajrore të avionëve “F-16”, të cilët duket se janë të pajisur gjithashtu me raketa.
“Aftësia parandaluese e Forcave të Armatosura është një parakusht për paqen. Kjo gjë është vërtetuar në terren gjatë ditëve të fundit”, është shprehur Kryeministri grek.
Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan paralajmëroi Greqinë se Turqia do të hakmerret kundër çdo sulmi ndaj anijes së saj.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, tashmë kanë vendosur sanksione ndaj dy drejtuesve turq të energjisë për operacionet e Turqisë në Mesdheun Lindor.