Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka përcjellë një tjetër mesazh të drejtpërdrejtë ndaj Athinës, duke kërkuar që Greqia të rishikojë qëndrimin e saj lidhur me praninë ushtarake në ishujt e Egjeut.

Në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini”, kreu i shtetit turk deklaroi se Ankaraja pret respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që, sipas interpretimit të palës turke, parashikojnë status të demilitarizuar për disa prej ishujve.

Erdogan i bëri komentet pas kthimit nga Bishkeku, në Kirgistan, ku kishte marrë pjesë në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait.

Presidenti turk këmbënguli se vendi i tij nuk synon territoret e shteteve të tjera, por njëkohësisht theksoi se Turqia do të mbrojë interesat dhe të drejtat që pretendon se i garantohen nga marrëveshjet ndërkombëtare.

“Turqia nuk ka ambicie për territorin e askujt, por nuk do të lejojë askënd të shkelë të drejtat e saj”, deklaroi Erdogan.

Sipas tij, Athina duhet të ndryshojë qasje dhe të shmangë veprimet që Ankaraja i konsideron në kundërshtim me traktatet në fuqi. Erdogan argumentoi se mosrespektimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nuk sjell përfitime për asnjërën palë dhe rrezikon të ushqejë tensione të reja në një rajon ku dy vendet kanë prej kohësh një sërë çështjesh të pazgjidhura.

Kreu i shtetit turk u ndal gjithashtu te mënyra se si duhet interpretuar politika e Ankarasë përballë mosmarrëveshjeve me Greqinë. Ai paralajmëroi se përpjekjet për të ruajtur një qëndrim të matur nuk duhet të shihen si shenjë dobësie.

“Kushdo që e interpreton qasjen e qetë dhe racionale të Turqisë si dobësi, po bën një gabim serioz”, u shpreh Erdogan.

Deklaratat rikthejnë në vëmendje një prej pikave më të ndjeshme në raportet greko-turke. Athina dhe Ankaraja kanë interpretime të ndryshme për statusin juridik dhe ushtarak të ishujve të Egjeut, ndërsa çështja është bërë vazhdimisht burim përplasjesh diplomatike mes dy vendeve.