Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka përshëndetur ratifikimin nga Dhoma e Përfaqësuesve e Libisë, me seli në Bengazi, të memorandumit për përcaktimin e zonave të juridiksionit detar midis Turqisë dhe Libisë, të nënshkruar në vitin 2019.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, gjatë një takimi me grupin parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në Ankara, Erdogan e cilësoi vendimin si të rëndësishëm dhe shprehu shpresën se ai do të sjellë rezultate të dobishme për të dyja vendet.
“Dhoma e Përfaqësuesve e Libisë ka miratuar Memorandumin e Mirëkuptimit për përcaktimin e zonave të juridiksionit detar midis Turqisë dhe Libisë. Shpresoj që ky vendim i rëndësishëm të jetë i dobishëm”, deklaroi presidenti turk.
Dhoma e Përfaqësuesve e Libisë miratoi unanimisht të martën memorandumin e nënshkruar në nëntor të vitit 2019 nga Turqia dhe qeveria e atëhershme libiane e njohur si Qeveria e Pajtimit Kombëtar. Marrëveshja synon përcaktimin e kufijve të zonave përkatëse të juridiksionit detar në Mesdhe.
Në të njëjtën kohë, parlamenti i Libisë lindore shfuqizoi vendimin e vitit 2020, me të cilin kishte refuzuar ratifikimin e marrëveshjeve të lidhura me Turqinë. Ky zhvillim shënon një ndryshim të qëndrimit të mëparshëm të këtij institucioni ndaj memorandumit. Marrëveshja detare turko-libiane ka qenë objekt kundërshtimesh në rajonin e Mesdheut, për shkak të pretendimeve të ndryshme për kufijtë e zonave detare dhe të drejtave përkatëse të shteteve në këtë hapësirë.
Erdogan njofton marrëveshjen e mbrojtjes me Arabinë Saudite dhe Pakistanin Gjatë fjalës së tij, Erdogan bëri të ditur gjithashtu se marrëveshja e përbashkët e mbrojtjes mes Turqisë, Arabisë Saudite dhe Pakistanit është paraqitur në Asamblenë e Madhe Kombëtare të Turqisë për ratifikim.
“Ne i kemi paraqitur parlamentit tonë për ratifikim marrëveshjen e përbashkët të mbrojtjes që nënshkruam me Pakistanin dhe Arabinë Saudite”, deklaroi Erdogan.
Njoftimi vjen në kuadër të përpjekjeve të Ankarasë për të zgjeruar bashkëpunimin e saj në fushën e mbrojtjes me partnerët rajonalë.
