Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka kritikuar ashpër Gjermaninë për atë që e quajti “mosreagim ndaj gjenocidit të Izraelit” dhe sulmeve të tij ndaj Gazës.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, në Ankara, Erdogan tha se Izraeli ka qasje në armë bërthamore dhe armë të tjera të ndaluara, të cilat po i përdor për të kërcënuar Gazën, ndërsa “Hamasi nuk është i pajisur në të njëjtën mënyrë”. Ai shtoi se Izraeli ka goditur përsëri Gazën ditët e fundit, pavarësisht një armëpushimi në fuqi.

“Duhet t’i japim fund gjenocidit dhe urisë së qëllimshme duke përfshirë Kryqin e Kuq gjerman dhe Gjysmëhënën e Kuqe turke. A nuk i sheh këto Gjermania? Është detyrë humanitare e jona, e Gjermanisë dhe e vendeve të tjera që t’i japim fund urisë dhe masakrave në Gaza”, deklaroi Erdogan.

Erdogan theksoi se, njësoj si për përpjekjet për t’i dhënë fund luftës Rusi–Ukrainë, edhe për Gazën “Turqia dhe Gjermania janë dy vende kyçe që mund të bashkojnë forcat për paqen”.

Pavarësisht armëpushimit të brishtë të ndërmjetësuar nga SHBA-të që hyri në fuqi më 10 tetor, Izraeli kreu disa bombardime mbi Gazë pas vrasjes së një ushtari izraelit në Rafah të martën. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, sulmet hakmarrëse të Izraelit lanë 104 të vrarë, shumica gra e fëmijë.

Gazetari i Al Jazeera-s, Hani Mahmoud, raportoi nga Gaza se bombardimet e kësaj jave ishin “të ngjashme me javët e para të gjenocidit për nga intensiteti dhe shkalla e shkatërrimit”.

Izraeli deklaroi të mërkurën se kishte filluar “zbatimin e armëpushimit”, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump tha se “armëpushimi nuk është në rrezik”, pavarësisht sulmeve të fundit. Ndërkohë, Katari, ndërmjetës në marrëveshje, i quajti shkeljet izraelite “zhgënjyese dhe irrituese”.

Në kuadër të planit 20-pikësh të Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza, parashikohet krijimi i një force ndërkombëtare për të monitoruar armëpushimin, por ende nuk është përcaktuar se cilat vende do të dërgojnë trupa. Izraeli ka deklaruar se kundërshton përfshirjen e forcave turke për shkak të deklaratave të mëparshme të Erdogan ndaj Izraelit.

“Vendet që duan të dërgojnë trupa duhet të jenë të paktën të ndershme ndaj Izraelit”, tha ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar.

Që nga tetori 2023, lufta në Gaza ka shkaktuar të paktën 68 mijë e 527 të vrarë dhe 170 mijë e 395 të plagosur, sipas autoriteteve palestineze. Në sulmet e Hamasit më 7 tetor 2023 u vranë 1 mijë e 139 persona në Izrael, ndërsa rreth 200 të tjerë u morën peng.