Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, ka ndarë detaje optimiste pas takimeve në samitin e NATO-s, duke deklaruar se homologu i tij amerikan, Donald Trump, ka dhënë sinjale inkurajuese për shitjen e avionëve luftarakë F-35 Turqisë.

Në konferencën përmbyllëse për shtyp, Erdogan u shpreh i bindur se kjo marrëveshje e mbetur pezull do të finalizohet me sukses. “Mbi çështjen e avionëve F-35, z. Trump po jep shenja pozitive. Kur avionët të dorëzohen konkretisht, e gjithë bota do të thotë se SHBA-ja e mbajti premtimin e saj”, deklaroi kreu i shtetit turk.

Gjatë fjalës së tij, Erdogan u ndal edhe te projektet e reja ushtarake në kontinentin vjetër, duke dërguar një mesazh të qartë për Brukselin. Ai theksoi se “nismat e mbrojtjes të Bashkimit Evropian duhet të plotësojnë NATO-n dhe të shmangin dublimet e panevojshme.”

Nga ana tjetër, Presidenti Donald Trump ka thënë se do të vendosë shumë shpejt nëse do t’i shesë Turqisë avionët e teknologjisë së lartë. Ai madje e vlerësoi Turqinë duke e quajtur “më besnike” se blerësit e tjerë të këtyre mjeteve fluturuese.

Megjithatë, ky vendim i Trump pritet të ndeshë në rezistencë brenda Uashingtonit. Aktualisht ekziston një ndalim ligjor i vendosur nga Kongresi Amerikan për shitjen e avionëve ndaj Ankarasë dhe mbetet ende e paqartë se çfarë manovre do të përdorë Trump për të anashkaluar këtë bllokadë.