Rexhep Tajip Erdogan jep alarmin se lufta e Iranit mund të zgjerohet e të përfshijë të gjithë rajonin. Presidenti turk deklaroi se duhen bërë përpjekje për ndalimin e konfliktit, përpara se të jetë tepër vonë.

“Kjo luftë duhet të ndalet para se të përhapet dhe të mbulojë në flakë të gjithë rajonin. Lindja e Mesme rrezikon të mbulohet përsëri nga era e gjakut dhe e barutit. Por nëse i jepet një shans diplomacisë, shmangia e këtij skenari është krejtësisht e realizueshme”, u shpreh Erdogan.

Më herët, kryediplomati iranian Abbas Araghchi përjashtoi mundësinë e cdo negociate me Uashingtonin, duke theksuar se Teherani kishte pasur “një përvojë shumë të hidhur nga bisedimet me amerikanët”. Lufta, e shkaktuar nga sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt, ka çuar në vdekje, shpërngulje masive dhe shkatërrim, duke trazuar gjithashtu tregjet e naftës dhe duke rritur çmimet e saj.

“Nëse ky konflikt pa kuptim dhe i parregullt vazhdon, do të ketë më shumë humbje jete dhe pronash, dhe kostoja për ekonominë globale do të rritet edhe më shumë”, paralajmëroi Erdogan, duke shtuar se Turqia po angazhohet për të gjetur një zgjidhje diplomatike.

Që nga fillimi i luftës, Teherani ka reaguar me sulme në të gjithë rajonin. Përveç rrëzimit të dy raketave balistike në hapësirën ajrore të saj nga sistemet e mbrojtjes së NATO-s në harkun kohor të pesë ditëve, Turqia vetë ka shpëtuar pa dëme serioze./ Top Channel