“Unë nuk jam hajdut. Ajo zonja atje është e fejuara ime, madje pret edhe një fëmijë nga unë”. Këto janë fjalët e një 46-vjeçari peruan, i cili u arrestua nga policia italiane të shtunën në mbrëmje.
Ai ishte futur pa leje në banesën e një gruaje në Torino, në lagjen Barriera di Milano. Gruaja menjëherë telefonoi forcat e rendit dhe mohoi se e njihte burrin në fjalë.
Ajo ka thënë se e njihte vetëm si ‘koleg të ish-partnerit të saj’. ndërkohë 46-vjeçari do të dalë në gjyq pas rreth 10 ditësh, i akuzuar për tentativë vjedhjeje dhe kundërshtim të një zyrtari publik.
Mediat italiane shkruajnë se, burri dyshohet se është futur në shtëpinë e gruas natën mes të shtunës dhe së dielës, pasi kishte kaluar mbrëmjen me një mik. Ajo e vuri re, duke e kapur në momentin kur ai po hynte nga një derë-ballkoni, pasi kishte shqyer rrjetën kundër mushkonjave.
Para gjykatës, burri dha versionin e tij të ngjarjes. Sipas 46-vjeçarit, pas një mbrëmjeje me konsum të madh alkooli, ai kishte vendosur të kthehej për të fjetur në shtëpinë e të fejuarës së tij shtatzënë, të cilën ai e identifikoi si gruan që kishte thirrur policinë.
“E kam telefonuar shumë herë në celular për t’i thënë se po kthehesha, por nuk më përgjigjej,” u mbrojt ai gjatë seancës gjyqësore, duke shtuar:
“Prandaj u përpoqa të hyja. Nuk doja të merrja asgjë nga shtëpia. Thjesht po kthehesha për të fjetur, siç kam bërë edhe herë të tjera.”
Megjithatë, versioni i gruas është krejtësisht ndryshe. Ajo u tha forcave të rendit se nuk kishte asnjë lidhje sentimentale me burrin:
“Ai është koleg i ish-partnerit tim.”
Pra, dy palët japin versione krejt të kundërta. Burri pretendon se ata janë të fejuar dhe kanë pasur një marrëdhënie, ndërsa gruaja thotë se nuk kanë pasur asnjë lidhje dhe se ai është vetëm një koleg i ish-partnerit të saj. Gjykata do të vlerësojë provat për të përcaktuar se cili version është i saktë.
Ndër akuzat ndaj burrit është edhe rezistenca ndaj një zyrtari publik. Sipas hetuesve, ai u kishte thënë karabinierëve në spanjisht: “Po ju mbaj nën vëzhgim, do të shihemi jashtë.”
46-vjeçari u mbrojt duke thënë: “Nuk më kujtohet ta kem thënë këtë. Më kujtohet vetëm që më thoshin ‘Firmos, firmos’, por unë nuk doja, sepse nuk jam hajdut.”
Më pas ai ngriti bluzën për të treguar një shenjë plage në bark dhe tha:
“E shihni? Kur më arrestuan, më rrëzuan përtokë dhe u lëndova. Prandaj isha i shqetësuar. Është hera e parë që gjendem në një situatë të tillë. E pranoj se kisha pirë pak alkool. Kërkoj falje për gjithçka.”
Në përfundim të seancës për vlerësimin e arrestimit, gjyqtari vendosi ta lirojë, duke refuzuar kërkesën e prokurorisë për t’i vendosur detyrimin e paraqitjes periodike në polici (një masë sigurie që e detyron personin të paraqitet rregullisht për të firmosur praninë e tij). Ai mbetet i akuzuar dhe do të gjykohet në ditët në vijim.



