Evropa po përjeton valë përvëluese të nxehti, ndërsa pritet që rekordet e temperaturave të thyhen në ditët në vijim.

Holandë

Amsterdami po krijon një rrjet pikash “ftohjeje” në të gjithë qytetin, duke u ofruar banorëve një vend ku mund të shpëtojnë nga vapë e madhe.

Këto hapësira, në biblioteka, ferma, teatro, kisha, qendra komunitare dhe madje edhe supermarkete ofrojnë vende për t’u ulur, ujë të pijshëm dhe tualete, ndërsa shumë prej tyre janë të hapura edhe për kafshët shtëpiake.

Edhe shkollat po përshtaten. Shumë prej tyre do të kalojnë në orare “tropikale” në ditët në vijim, me ditë mësimore më të shkurtra ose më pak orë mësimi, më shumë pushime, më shumë pije dhe ventilim të shtuar.

Çdo shkollë vendos vetë masat që do të marrë, pasi nuk ekziston një temperaturë maksimale e përcaktuar me ligj për klasat. Parimi udhëzues është që nxënësit dhe mësuesit duhet të jenë në gjendje të punojnë në kushte të sigurta dhe të shëndetshme.

Francë

Një bashki në Paris po ofron bileta falas për në kinema për të ndihmuar njerëzit të largohen nga nxehtësia. Plani është organizuar në bashkëpunim me tri kinema të pavarura dhe të pajisura me ajër të kondicionuar. Për të përfituar, duhet të jenë nën 25 vjeç ose mbi 65 vjeç, dhe oferta vlen vetëm për seancat e pasdites.

Kinematë, bibliotekat dhe muzetë janë identifikuar si vende ku njerëzit duhet të inkurajohen të shkojnë për t’u mbrojtur nga temperaturat përvëluese. Disa qytete, si Lioni, kanë pezulluar përkohësisht tarifat e hyrjes në muzetë komunalë.

Sipas gazetave franceze, në dyqanet e materialeve të ndërtimit është rritur ndjeshëm kërkesa për një produkt me ngjyrë të bardhë të quajtur Blanc de Meudon, ose “Meudon Whiting”.

Ky pluhur përzihet me ujë dhe me të lyhen xhamat, duke zvogëluar fuqinë e rrezeve të diellit dhe, teorikisht, duke ulur temperaturën e brendshme. Në praktikë, duket se funksionon vërtet.

Spanjë

Rajoni verilindor i Aragonës në Spanjë po përjeton disa nga temperaturat më të larta të kësaj vale të të nxehtit dhe, në qytetet Zaragoza dhe Huesca, autoritetet lokale kanë ulur çmimin e hyrjes në pishinat publike.

Qyteti verior i Logroños, ku të martën priten temperatura deri në 40°C, e ka bërë hyrjen në pishina falas për të gjithë kohëzgjatjen e valës së të nxehtit. Autoritetet kanë njoftuar gjithashtu se shatërvanët dekorativë do të qëndrojnë të ndezur deri në orën 23:00.

Njerëzit mund të freskohen edhe nën spërkatësit e ujit që janë aktivizuar në disa zona të qytetit.

Disa vende kanë pezulluar djegien tradicionale të zjarreve festive për kremtimin e festës së Shën Gjonit për shkak të rrezikut të zjarreve që sjellin kushtet ekstreme. Qyteti verior i Leónit ka anuluar një shfaqje fishekzjarrësh që ishte planifikuar për sonte në kuadër të festimeve.

Ndërkohë, shumë qytete kanë krijuar “streha kundër vapës”, ndërtesa publike me ajër të kondicionuar ku kushdo mund të shkojë për t’i shpëtuar temperaturave ekstreme.

Itali

Edhe për Italinë, një vend i mësuar me diellin, temperaturat aktuale janë jashtëzakonisht të larta për muajin qershor. Lista e qyteteve që kanë marrë paralajmërim të kuq po rritet dhe pritet të shtohet edhe më shumë të mërkurën, me zonat më të nxehta në qendër dhe veri të vendit.

Ndërsa temperaturat u rritën këtë javë, qeveria riktheu masat për të ndihmuar punëtorët më të ekspozuar ndaj vapës: ata që punojnë jashtë, si fermerët dhe ndërtuesit, por edhe ata që punojnë brenda në ambiente me ventilim të dobët.

Kjo do të thotë se disa biznese mund të pezullojnë ose reduktojnë aktivitetin e tyre kur temperaturat janë jashtëzakonisht të larta dhe më pas të përfitojnë fonde shtetërore për pagesat e punonjësve të pezulluar përkohësisht nga puna.

Për pjesën tjetër të popullsisë, ka ardhur koha e ajrit të kondicionuar. Kush e ka të instaluar në shtëpi ose në punë, po e përdor në maksimum dhe po mban grilat e mbyllura. Ata që nuk e kanë, veçanërisht të moshuarit dhe grupet më të cenueshme, janë këshilluar të shkojnë në hapësira publike me ajër të kondicionuar.

Në Palermo, turistët që ende këmbëngulin për një shëtitje me karrocë të tërhequr nga kuajt tani do të duhet të presin deri në mbrëmje ose në një ditë më të freskët. Në Torino, disa restorante kanë mbyllur verandat e tyre; ndërsa në vende të tjera, përfshirë Romën, ventilatorët gjigantë dhe spërkatësit e ujit po punojnë pa ndërprerje.

Për ata që dalin për të ngrënë jashtë, Ministria e Shëndetësisë ka dhënë disa këshilla: të zgjedhin makaronat në vend të mishit dhe të zëvendësojnë kafenë ose birrën e ftohtë, të cilat dehidratojnë, me një gotë ujë.

Belgjikë

Ditët më të nxehta të javës në Belgjikë ende nuk kanë ardhur, ndërsa një alarm portokalli pritet të hyjë së shpejti në fuqi për të gjithë vendin. Kjo ndodh ndërsa temperaturat në disa zona po i afrohen 40°C dhe ekziston mundësia që të thyhet rekordi i temperaturës ditore për muajin qershor.

Gjermani

Në Gjermani, njerëzit po përgatiten për temperatura rekord për muajin qershor të premten, kur në perëndim dhe jugperëndim të vendit temperaturat mund të arrijnë deri në 40°C.

Punonjësit postarë të Deutsche Post janë këshilluar të veshin këmisha me mëngë të gjata dhe kapele, ndërsa DHL Group ka njoftuar se ata mund të porosisin edhe pantallona të shkurtra deri pak sipër gjurit nga katalogu i veshjeve të kompanisë.

Kompania e sigurimeve shëndetësore DAK ka hapur një linjë telefonike ndihmëse me këshilla se si të përballohet vala e të nxehtit.