Mbi 1.300 persona kanë humbur jetën në Europë për shkak të temperaturave të larta vetëm gjatë një jave. Shifra u bë publike nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), e cila thekson se Europa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, me një ritëm pothuajse dy herë më të lartë se mesatarja globale.

Ky vlerësim nuk është i ri. Ai ishte evidentuar edhe në raportin e fundit për gjendjen e klimës nga Copernicus, programi i Bashkimit Europian për vëzhgimin e Tokës. Megjithatë, lidhja e drejtpërdrejtë mes ndryshimeve klimatike dhe rritjes së numrit të vdekjeve ka shtuar shqetësimin për pasojat që priten në dekadat e ardhshme. Sipas të dhënave, temperatura mesatare globale është rritur me 0,27 gradë Celsius për dekadë që nga vitet 1990. Në Europë ritmi ka qenë dukshëm më i lartë, me 0,56 gradë për dekadë. Në Australi rritja ka qenë 0,23 gradë, ndërsa në Azi 0,46 gradë.

Rajoni i vetëm që po ngrohet edhe më shpejt është Arktiku, ku temperatura është rritur me 0,75 gradë për dekadë. Krahasuar me periudhën paraindustriale (1850-1900), temperatura mesatare në Europë është rritur me rreth 2,5 gradë Celsius, ndërsa periudha 2023-2025 ka qenë më e nxehta e regjistruar ndonjëherë. Ekspertët thonë se ka disa arsye pse Europa po ngrohet më shpejt se pjesa tjetër e planetit.

Sipas Carlo Buontempo, drejtor i Shërbimit për Ndryshimet Klimatike në Copernicus, faktori i parë është pakësimi i mbulesës së dëborës.

“Europa Qendrore ka humbur rreth dy javë mbulim me dëborë, ndërsa Alpet, Pirenejtë dhe një pjesë e maleve skandinave kanë humbur sasi të mëdha akulli. Kjo bën që toka më e errët të ekspozohet ndaj rrezatimit diellor, të thithë më shumë energji dhe të ngrohet më shpejt. Gjithashtu, një pjesë e Arktikut përfshihet në hapësirën gjeografike të Europës dhe ky është rajoni që po ngrohet më shumë në botë”, shpjegon ai.

Faktori i dytë lidhet me praninë gjithnjë e më të shpeshtë të anticiklonit afrikan, në vend të atij atlantik. Klimatologu Silvio Gualdi nga Qendra Euro-Mesdhetare për Ndryshimet Klimatike (CMCC) thotë se ndryshimet klimatike kanë zgjatur dhe forcuar valët e të nxehtit.

“Në Europën Perëndimore dhe në pellgun e Mesdheut, këto episode lidhen shpesh me presion të lartë të qëndrueshëm atmosferik, rrezatim të fortë diellor, toka të thata dhe ardhjen e masave të ajrit të nxehtë nga Afrika e Veriut. Studimet tregojnë se ndryshimet në qarkullimin atmosferik mund të kenë kontribuar në shtimin e valëve të të nxehtit, sidomos në Europën jugperëndimore“, shprehet ai.

Arsyeja e tretë është më pak e zakonshme. Sipas Buontempos, legjislacioni europian për uljen e ndotjes së ajrit ka përmirësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit, duke reduktuar grimcat dhe pluhurin në atmosferë. Megjithatë, ai thekson se kjo nuk do të thotë se ndotja ishte më e mirë.

“Kjo ka përmirësuar shëndetin e njerëzve, por në të njëjtën kohë atmosfera është bërë më e pastër dhe më transparente, duke lejuar që më shumë rrezatim diellor të arrijë në sipërfaqe. Në të kaluarën situata ishte shumë më e keqe për shëndetin, ndërsa ndotja thjesht fshihte një pjesë të efektit të ndryshimeve klimatike që po shohim sot”, shton Buontempo.

Temperaturat mbi mesataren po zgjasin shumë më tepër se më parë dhe shoqërohen gjithnjë e më shpesh me net të nxehta. Sipas ekspertëve, në disa vende si Franca dhe Gjermania pasojat janë edhe më të rënda, pasi anticikloni afrikan godet më fort këto zona gjatë lëvizjes së tij. Gualdi shton se në shumë vende të Europës Qendrore dhe Veriore ndikimi i valëve të të nxehtit është më i madh sepse popullsia nuk është mësuar me temperatura kaq të larta dhe ndërtesat, infrastruktura dhe sistemet e mbrojtjes janë projektuar për një klimë historikisht më të freskët. Edhe nëse në të ardhmen do të arrihet të ngadalësohet ngrohja globale, ekspertët thonë se Europa do të duhet të përshtatet me realitetin e ri klimatik dhe të rishikojë mënyrën se si ndërton dhe organizon qytetet ku jetojnë qytetarët.