Në një fjalim të fortë dhe të papritur para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, akuzoi organizatën ndërkombëtare për “financimin e një sulmi” ndaj vendeve perëndimore përmes imigracionit masiv dhe të pakontrolluar. Ai paralajmëroi se Europa po “shkon në ferr” për shkak të kësaj situate dhe kërkoi ndërprerjen e “eksperimentit të dështuar të kufijve të hapur”.
Trump u shpreh se OKB-ja po mbështet migrantët që hyjnë ilegalisht në SHBA, duke dhënë fonde që sipas tij nxisin migrimin masiv dhe destabilizojnë vendet perëndimore. “Kombet e Bashkuara duhet të mbrojnë vendet nga pushtimet, jo t’i krijojnë dhe financojnë ato,” tha ai duke kritikuar ashpër organizatën.
Në fjalimin e tij të mbajtur në selinë e OKB-së në New York më 23 shtator 2025, Trump u drejtua edhe ndaj aleatëve perëndimorë, duke theksuar: “Vendet tuaja po shkatërrohen nga imigracioni i pakontrolluar. Europa është në telashe serioze, është pushtuar nga një forcë emigrantësh të paligjshëm që askush nuk e ka parë më parë dhe askush nuk po bën asgjë për ta ndaluar.”
Ai kritikoi gjithashtu politikanët europianë që sipas tij janë “politikisht korrektë” dhe nuk marrin masa të mjaftueshme për të adresuar këtë krizë. Duke përmendur Londrën, Trump sulmoi kryebashkiakun Sadiq Khan dhe pretendoi se në qytet po përpiqen të zbatojnë ligjin e Sheriatit, duke e cilësuar këtë si një rrezik serioz për Evropën.
Në fjalimin e tij, Trump kritikoi edhe blerjet e vazhdueshme të naftës dhe gazit rus nga disa vende evropiane, duke paralajmëruar se nuk do të mbështeste sanksione të ashpra kundër Moskës derisa aleatët të ndërpresin importet e tyre. “Është e turpshme që ata vazhdojnë të blejnë energji nga Rusia ndërsa lufta vazhdon,” tha ai.
Trump përmendi edhe përpjekjet e tij diplomatike për të dhënë fund shtatë konflikteve ndërkombëtare, duke kritikuar mungesën e mbështetjes nga OKB-ja. “Asnjëherë nuk mora një telefonatë nga OKB-ja për të më ndihmuar në finalizimin e marrëveshjeve,” u shpreh ai.
Duke sulmuar punën e OKB-së, Trump pyeti retorikisht: “Cili është qëllimi i Kombeve të Bashkuara? Të shkruajnë letra me fjalë boshe që nuk zgjidhin asgjë.” Ai theksoi se OKB-ja ka potencial të madh, por nuk po arrin ta realizojë atë.
Në një moment më të lehtë, Trump u ankua për “shkallën e lëvizshme të keqe” dhe teleprompterin që nuk funksiononte gjatë fjalimit të tij në selinë e OKB-së.
Në fund, ai iu drejtua dy prej konflikteve ku përpjekjet e tij nuk kanë dhënë ende rezultat, luftës në Ukrainë dhe situatës në Gaza pas sulmit të Hamasit në tetor 2023. Ai e kritikoi njohjen e shtetit palestinez nga disa aleatë amerikanë, duke e quajtur këtë një “shpërblim” për Hamasin dhe kërkoi lirimin e pengjeve për arritjen e paqes.
Mandati i dytë i Trump-it në presidencë ka filluar me politika nacionaliste që shpesh janë në kundërshtim me bashkëpunimin ndërkombëtar, duke përfshirë tërheqjen e SHBA-së nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe pakti i klimës i OKB-së, si dhe vendosjen e sanksioneve ndaj zyrtarëve të huaj.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në fjalimin e hapjes së Asamblesë paralajmëroi se shkurtimet e ndihmave nga SHBA-ja po “shkaktojnë kaos” në botë dhe bëri thirrje për ruajtjen e ligjit dhe rendit ndërkombëtar.
Ndërkohë, Trump do të zhvillojë një takim të dytë me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në përpjekje për të ndërmjetësuar paqen, por tensionet me Rusinë dhe sulmet ndaj Ukrainës vazhdojnë të thellohen.