Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu ka reaguar ndaj vendimit të Bashkimit Evropian për të vendosur sanksione ndaj kolonëve të dhunshëm izraelitë në Bregun Perëndimor, si edhe ndaj Hamasit.

Në një deklaratë të publikuar nga zyra e tij, Netanyahu akuzoi BE-në për “falimentim moral”, duke pretenduar se po vendos në të njëjtin nivel qytetarët izraelitë dhe militantët e Hamasit.

“Ndërsa Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara po bëjnë punën e ndyrë të Evropës duke luftuar për qytetërimin kundër të çmendurve xhihadistë në Iran dhe gjetkë, Bashkimi Evropian ka ekspozuar falimentimin e tij moral duke i barazuar në mënyrë të rreme qytetarët izraelitë me terroristët e Hamasit”, deklaroi ai.

Netanyahu kundërshtoi gjithashtu sanksionet ndaj kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor, të cilit iu referua me emrin hebraik “Judea dhe Samaria”.

“Sanksionimi i hebrenjve për shkak se jetojnë në Jude dhe Samari është i papranueshëm”, tha ai.

Kreu i qeverisë izraelite shtoi se përpjekjet e Bashkimit Evropian për të vendosur masa ndëshkuese ndaj civilëve izraelitë “janë një tjetër shenjë dobësie dhe nuk do të kenë sukses”.