Një operacion i gjerë ndërkombëtar, i mbështetur nga Europol dhe Eurojust, ka shkatërruar një rrjet të organizuar mashtrimi me investime online, i cili dyshohet se kishte shtrirje në të paktën 50 vende të botës dhe kishte përfituar më shumë se 4 milionë euro. Gjatë operacionit janë arrestuar shtatë persona, ndërsa autoritetet kanë sekuestruar mbi 100 serverë dhe kanë kryer kontrolle në 17 lokacione.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, të arrestuarit dyshohet se janë të përfshirë në një skemë mashtrimi që përdorte platforma të rreme investimi dhe qendra telefonike për të përvetësuar paratë e qytetarëve. Hetimet katërvjeçare zbuluan se në qendër të skemës ndodhej një kompani me aktivitet në Qipro dhe Izrael, e cila siguronte infrastrukturën teknologjike për krijimin e faqeve të rreme të investimeve. Paralelisht, bashkëpunëtorët e saj dyshohet se administronin qendra telefonike të paligjshme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Skema funksiononte përmes reklamave mashtruese në internet, ku qytetarëve u premtoheshin fitime të larta nga investimet në kriptomonedha, valuta të huaja dhe aksione. Personat e interesuar drejtoheshin më pas në platforma që imitonin faqet e ligjshme të tregtimit. Fillimisht, ata bindeshin të depozitonin shuma të vogla parash, ndërsa llogaritë e tyre shfaqnin fitime fiktive për t’i nxitur të investonin gjithnjë e më shumë. Kur viktimat kërkonin të tërhiqnin paratë, operatorët gjenin justifikime, vononin pagesat dhe në fund ndërprisnin çdo komunikim.
Të dhënat personale përdoreshin për të gjetur viktima të reja
Një tjetër element i skemës ishte mbledhja dhe shitja e të dhënave personale të qytetarëve te grupet kriminale. Përmes reklamave mashtruese, përdoruesit regjistronin të dhënat e tyre në platformat e rreme. Këto informacione më pas përfundonin te grupet që administronin qendrat telefonike, ku operatorët paraqiteshin si këshilltarë financiarë dhe përpiqeshin t’i bindnin qytetarët të transferonin shuma të tjera parash.
Hetimet nisën pas denoncimit të një çifti gjerman
Çështja nisi të hetohej në vitin 2022, pasi një çift nga Gjermania denoncoi pamundësinë për të tërhequr paratë e investuara në një platformë online. Denoncimi çoi në operacionin e parë ndërkombëtar, ndërsa analizimi i provave ndihmoi hetuesit të identifikonin persona të tjerë të dyshuar dhe lidhjet mes kompanisë teknologjike dhe qendrave telefonike.
Operacionet vijuan edhe gjatë vitit 2025, me arrestime dhe sekuestrime të tjera. Në aksionin e fundit, të zhvilluar më 3 nëntor, ekspertë të Europol u angazhuan në Shqipëri dhe Kosovë për të ndihmuar në analizimin e provave dixhitale. Shtatë personat e arrestuar pritet të përballen me procedurat e ekstradimit drejt Gjermanisë, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e viktimave të tjera dhe personave të përfshirë në këtë rrjet kriminal.
