Autoritetet europiane dhe ndërkombëtare kanë nisur një operacion të koordinuar për evakuimin e pasagjerëve nga një anije turistike në Spanjë, pas shpërthimit të hantavirusit në bord.

Sipas ministrit të Brendshëm spanjoll, Fernando Grande-Marlaska, vende si Gjermania, Franca, Belgjika, Irlanda dhe Holanda kanë konfirmuar dërgimin e avionëve për riatdhesimin e shtetasve të tyre.

Ai bëri me dije se edhe Bashkimi Evropian do të angazhojë dy avionë shtesë për qytetarët e tjerë europianë që ndodhen ende në anije. Ndërkohë, edhe SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë nisur procedurat për evakuimin e qytetarëve të tyre.

Sipas autoriteteve spanjolle, po hartohen gjithashtu plane emergjente për pasagjerët nga vende të tjera jo-evropiane, të cilat nuk kanë kapacitete për të organizuar fluturime të posaçme.

Në Spanjë ka mbërritur edhe drejtori i përgjithshëm i World Health Organization, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili po zhvillon takime me autoritetet për menaxhimin e situatës dhe organizimin e largimit të sigurt të pasagjerëve.

Tedros deklaroi se është në komunikim të vazhdueshëm me kapitenin e anijes dhe se, bazuar në informacionet më të fundit nga ekipet e OBSH-së në bord, aktualisht nuk janë raportuar raste të reja me simptoma të hantavirusit.

Autoritetet shëndetësore dhe ato të sigurisë vijojnë koordinimin ndërkombëtar për të shmangur përhapjen e virusit dhe për të garantuar evakuimin e kontrolluar të të gjithë pasagjerëve.