Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka reaguar publikisht në lidhje me përplasjet e fundit mes Donald Trump dhe Volodymyr Zelenskyt.
Lavrov ka lavdëruar presidentin amerikan duke thënë se ai ka “arsye të shëndosh” sa i përket synimit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Nga ana tjetër, ai ka akuzuar fuqitë evropiane, që janë reshtur krah Kievit, se po synojnë të zgjasin konfliktin.
Lavrov tha se Shtetet e Bashkuara ende duan të jenë shteti më i fuqishëm në botë dhe se Uashingtoni e Moska asnjëherë nuk mund të pajtohen për gjithçka, por janë pajtuar që të jenë pragmatik kur kanë të njëjtë interesa.
“Donald Trump është pragmatist. Slogani i tij është arsyeja e shëndosh. Kjo nënkupton, siç mund ta shohin të gjithë, një ndryshim të mënyrave se si bëhen gjërat. Por, qëllimi është ende MAGA”, tha Lavrov, duke iu referuar sloganit politik të Trumpit.
Lavrov kritikoi Evropën, duke thënë se në 500 vitet e fundit, ka qenë vatër “e të gjitha tragjedive në botë, përfshirë kolonizimin, luftërat, kryqëzatat, Luftën e Krimesë, Napoleon Bonapartin, Luftën e Parë Botërore dhe Adolf Hitlerin.
“Dhe tani, pas Bidenit, njerëzit që erdhën udhëhiqen nga arsyeja e shëndosh. Ata e thonë qartë se duan që të ndalen të gjitha luftërat, ata duan paqe. Kush po kërkon ‘vazhdimin e banketit’ në formë të një lufte? Evropa!”- tha Lavrov.
