Juria në gjyqin ndaj Lindsay Clancy, ish-infermierja 36-vjeçare e akuzuar për vrasjen e tre fëmijëve të saj të vegjël, ka nisur ditën e katërt të diskutimeve për të përcaktuar fatin e saj.
Clancy akuzohet për tre vepra penale të vrasjes së shkallës së parë, pasi në vitin 2023 vrau dy djemtë dhe vajzën e saj në bodrumin e banesës së familjes në Massachusetts.
E akuzuara nuk e mohon përgjegjësinë për vdekjen e fëmijëve, por mbrojtja pretendon se në momentin e ngjarjes ajo vuante nga psikoza pas lindjes. Sipas avokatëve të saj, kjo gjendje e rëndë mendore e kishte bërë Clancy të paaftë për të kuptuar natyrën e veprimeve të saj dhe për të dalluar të drejtën nga e gabuara.
Prokuroria paraqet një tjetër version të ngjarjes. Sipas saj, Clancy ka vepruar në mënyrë të qëllimshme dhe të llogaritur, duke e ditur se ajo që po bënte ishte e gabuar.
Juria, e përbërë nga nëntë gra dhe tre burra, duhet të shqyrtojë disa mundësi përpara se të marrë vendimin përfundimtar. Ajo mund ta shpallë Clancy:
të pafajshme;
të pafajshme për shkak të paaftësisë mendore;
fajtore për vrasje të shkallës së parë;
fajtore për vrasje të shkallës së dytë;
fajtore për vrasje pa dashje.
Një nga pikat kryesore të procesit gjyqësor ka qenë gjendja mendore e Clancy-t në momentin e vrasjeve.
Mbrojtja ka argumentuar se 36-vjeçarja përjetonte halucinacione dhe se kishte dëgjuar një zë që e urdhëronte të vriste fëmijët. Ekspertë të shëndetit mendor kanë dëshmuar mbi ashpërsinë e psikozës pas lindjes, ndërsa familjarë kanë përshkruar ndryshimet që kishin vënë re në gjendjen e saj mendore.
Sipas ligjit të Massachusetts, barra për të provuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se Clancy ishte penalisht përgjegjëse në momentin e krimit i takon prokurorisë.
Në rast se shpallet “e pafajshme”, Clancy do të lirohej. Ndërsa një vendim për pafajësi për shkak të paaftësisë mendore do të sillte dërgimin e saj në një institucion psikiatrik.
