Të paktën 150 persona janë arrestuar të hënën në Turqi, pasi policia shpërndau një tubim pranë gjykatës së Çağlayan në Stamboll, ku demonstruesit ishin mbledhur për të protestuar kundër arrestimeve të fundit të anëtarëve të komunitetit LGBTQ+.
Sipas dëshmitarëve të cituar nga Reuters dhe Agence France-Presse, protestuesit po përpiqeshin të jepnin deklarata për mediat jashtë gjykatës, por policia i pengoi. Ata mbanin një banderolë me mbishkrimin “Të jesh LGBTQ+ dhe të organizohesh nuk është krim” dhe brohorisnin slogane si “Rroftë jeta, kundër urrejtjes”, përpara se policia të ndërhynte.
Arrestimet janë pjesë e një operacioni të gjerë të autoriteteve turke ndaj komunitetit LGBTQ+, që ka përfshirë bastisje të zyrave të organizatave, bllokimin e faqeve të internetit dhe ndalimin e personave të dyshuar në disa provinca.
Operacioni është zhvilluar në kuadër të fushatës “Familja ime është e sigurt”, e cila, sipas qeverisë turke, synon mbrojtjen e fëmijëve dhe vlerave familjare.
Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Michael O’Flaherty, shprehu shqetësim për arrestimet, bastisjet dhe kufizimet e internetit që kanë prekur organizatat LGBTQI+ dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut.
O’Flaherty deklaroi se referencat për “vlerat familjare” apo “mbrojtjen e fëmijëve” nuk mund të përdoren në vetvete për të justifikuar kufizime të të drejtave të njeriut. Ai bëri gjithashtu thirrje për lirimin e personave të ndaluar për aktivitetet e tyre në mbrojtje të të drejtave të njeriut ose të shoqërisë civile.

Edhe Bashkimi Evropian shprehu një ditë më parë shqetësimin për arrestimet dhe procedurat ligjore kundër aktivistëve LGBTI+ në Turqi.
Në kuadër të të njëjtit operacion, një gjykatë turke urdhëroi paraburgimin e 16 personave në provincën e Izmirit. Ndërkohë, Ministri i Drejtësisë, Akin Gürlek, tha se hetimet e koordinuara nga prokurorët në Stamboll, Ankara, Izmir, Ajdin dhe Mersin synojnë 162 të dyshuar, nëntë shoqata dhe 13 biznese në 15 provinca.

Autoritetet arrestuan gjithashtu të paktën 26 persona në Stamboll dhe 21 në Ankara gjatë fundjavës, ndërsa kryen bastisje në zyrat e organizatave LGBTQ+.
Përveç arrestimeve, autoritetet turke kanë bllokuar aksesin në faqet e internetit dhe llogaritë në rrjetet sociale të disa organizatave LGBTQ+, individëve dhe mediave të pavarura, përfshirë llogarinë në X të Amnesty International Turkey.

Partia pro-kurde DEM e ka dënuar operacionin ndaj komunitetit LGBTQ+.
Goditja ndaj komunitetit LGBTQ+ vjen në një kohë kur Presidenti Rexhep Tajip Erdogan po promovon fushatën “Dekada e Familjes dhe Popullsisë”, e cila synon të adresojë rënien e lindshmërisë dhe plakjen e popullsisë.
Homoseksualiteti nuk është i kriminalizuar në Turqi, por organizatat e të drejtave të njeriut denoncojnë prej kohësh diskriminimin dhe presionin ndaj komunitetit LGBTQ+. Erdogan ka bërë vazhdimisht deklarata kundër personave LGBTQ+ dhe i ka lidhur ata me rënien e nivelit të lindjeve.
Top Channel
