Humbjet e ushtrisë ruse duket se e kanë vendosur presidentin rus Vladimir Putin në presion për të gjetur ushtarë, aq sa stërvitja ushtarake tashmë është shtuar si lëndë mësimore për gjimnazistët.

Raportohet se nxënësit do të detyrohen të kryejnë 140 orë trajnime ushtarake në dy vitet e fundit të studimit dhe do të mësohen nga veteranë të cilët kanë qenë më parë në betejë.

Ligjvënësit e Moskës shpresojnë se përgatitja e nxënësve adoleshentë për luftë do t’i japë fund problemit të dërgimit të rekrutëve të patrajnuar në luftë, në Ukrainë.

Zëvendësministri i Parë i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë Valery Gerasimov tha: “Me fillimin e operacionit special ushtarak kjo çështje u bë veçanërisht e mprehtë. Edhe shumë vullnetarë nuk kanë përvojën e nevojshme për të marrë pjesë në armiqësi. Futja e një lënde të tillë në shkolla do të bëjë të mundur përgatitjen sistematike të qytetarëve për një përballje të mundshme me armikun.”

Janë shfaqur gjithashtu foto të nxënësve që qëllojnë me pushkët, teksa nga ana tjetër do t’u mësohen gjithashtu aftësitë e ndihmës së parë dhe komunikimit në fushën e betejës.

Ndërkohë, mendohet se me këtë hap do të shkurtohet dhe kohëzgjatja  që duhet për të afruar rekrutët e rinj përmes trajnimit bazë.

Burimet thonë se zyrtarët e sigurisë po urdhërojnë që sirenat e sulmit ajror të testohen dhe në qytete si Volgograd, 550 milje brenda Rusisë, stacionet e trenave nëntokësore të kthehen në bunkerë. Kjo ka rritur frikën për një sulm të mundshëm bërthamor, megjithatë, sipas ekspertëve deri më tani nuk ka asgjë për t’u frikësuar.

Një burim i mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar tha për Mirror: “E gjithë kjo ka pak përdorim praktik përveç se ta kthejë këtë pushtim në një ‘luftë popullore’ dhe të inkurajojë mbështetjen në frontin e brendshëm.

“Viktimat masive nga mbrojtja e zonave të ashtuquajtura besnike në lindje mund të ngjallin simpati, duke dëshmuar në një farë mënyre të shtrembëruar se pushtimi i Putinit ishte një pushtim i drejtë. Dhe të gjitha këto përgatitje të supozuara për një sulm ndaj Rusisë, megjithëse janë qesharake, ofrojnë një ndjenjë alarmi dhe i bëjnë njerëzit të besojnë se ekziston një kërcënim i vërtetë ose nga Ukraina dhe ose nga NATO.

Kremlini po vepron në një vakum të së vërtetës dhe po përpiqet të mashtrojë qytetarët që të besojnë se lufta e Rusisë kundër Ukrainës dhe ndoshta kundër perëndimit është përfundimisht një mbrojtje e drejtë kundër një kërcënimi. Por nuk ka asnjë kërcënim aktual.”- shtoi ai.