Politikani grek i ekstremit të djathtë, i burgosur për bashkë-drejtimin e një partie politike tashmë të ndaluar dhe të shpallur organizatë kriminale, u lirua nga burgu por dha sinjale për një rikthim në politikë.
Ilia Kasidharis, 46 vjeç, ishte zëdhënës dhe deputet i “Agimit të Artë”, një parti e ekstremit të djathtë që kaloi nga anonimati në forcën e tretë politike më të madhe në kulmin e krizës së borxhit grek, duke u mbështetur në një platformë kundër masave shtrënguese ekonomike dhe kundër emigracionit.
Në vitin 2020, kjo parti neo-naziste u shpall organizatë kriminale e lidhur me krime të urrejtjes, përfshirë vrasjen e reperit antifashist Pavlos Fyssas. Kasidiaris u dënua me 13 vjet e gjysmë burg si një nga drejtuesit e saj. Ai u lirua pasi kreu rreth gjashtë vjet të dënimit, duke përfshirë llogaritjen e punës së kryer në burg dhe kohën e kaluar në paraburgim.
Kasidiaris doli nga burgu i Domokos në Greqinë qendrore të martën, mes brohoritjeve të mbështetësve që prisnin jashtë duke valëvitur flamuj grekë. Pavarësisht ligjit grek që u ndalon partive të drejtuara nga persona të dënuar për krime të rënda të marrin pjesë në zgjedhje, Kasidiaris u tha mbështetësve se planifikon të krijojë një parti “pikërisht si ato që dominojnë në të gjithë Evropën”, për të sfiduar atë që ai e quajti një establishment të korruptuar.

