Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, ka dalë në konferencë për shtyp pas raundi të dytë të zgjedhjeve lokale. Ai tha se nuk kanë arritur të fitojnë garën për kryetarë të komunave, por shtoi se e kanë fituar shumicën e votës popullore

“Ne kemi fituar shumicën e votës popullore, por nuk kemi arritur të fitojmë garën për kryetar të komunave. Është mesazh kompleks, që ne e pranojmë me përgjegjësi. Qytetarët kanë treguar se besojnë vlerat tona, në vizionin tonë, por njëkohësisht kërkojnë që të rinovojmë mënyrën tonë të përcjelljes së tyre në terren.

Fatkeqësisht këto zgjedhje u shoqëruan me keqpërdorim të resurseve shtetërore, si dhe me shantazh dhe presion financiar mbi votuesit. Humbja e disa pozicioneve në nivel të disa kryetarëve të komunave, është thirrje për të forcuar strukturat, për t’u afruar me njerëzit dhe për të ndryshuar mekanizmat. Do të bëjmë analizë të thelluar dhe do të rinovojmë radhët tona”, tha Ahmeti.