Të bardhët e shtresës së mesme nuk e pëlqejnë si tepër të pasur dhe si mormon
Të bardhët e arsimuar të shtresës së mesme përbëjnë aktualisht një pjesë shumë të vogël të elektoralit amerikan, por vota e tyre mund të rezultojë vendimtare në shtetet ku gara është e hapur dhe në këto shtete, kandidati republikan, Mitt Romney, ka problemin që shihet si tepër i pasur dhe mbi të gjitha, si besimtar i një feje të papëlqyer nga shumica e Amerikës protestante, raporton “Reuters”.
Sheryl Harris, një 52-vjeçare që jeton në Virxhinia, thotë se ka votuar dy herë për George Bush. Ajo është rritur si baptiste dhe beson se Barack Obama është një mysliman. Në fakt, Obama është një praktikant kristian.
Me këto të dhëna, kë mund të votojë ajo në zgjedhjet e 6 nëntorit? Ndryshe nga rrjedha logjike që thotë se do të votojë Mitt Romney, ajo vetë thotë prerazi “Jo!”
“Romney do të ndihmojë klasën e lartë”, thotë Harris, e cila fiton 28 mijë dollarë në vit. “Ai nuk i njeh njerëzit e zakonshëm, me përjashtim të personit që pastron shtëpinë e tij, ndoshta”, thotë ajo.
Ajo do të votojë Obamën dhe shton se “së paku ai nuk është rritur nga pasunarët e qelbur”.
Votuesit e bardhë me të ardhura të ulëta dhe të mesme si Harris janë pika nevralgjike e fushatës presidenciale. Megjithëse janë shumë pak në numër në rang kombëtar, ata mund të bëhen faktori vendimtar në dy shtete të jugut, ku gara është e hapur dhe elektorati ka votuar në të shkuarën herë majtas dhe herë djathtas. Këto dy shtete janë Virxhinia dhe Karolina e Veriut.
Një sondazh i “Reuters” mbi preferencat e elektoratit gjatë muajve të fundit në të ashtuquajturën “Brezi i Biblës” – një rajon në drejtimin veri-jug të Amerikës përgjithësisht larg brigjeve të Atlantikut – tregon se 38 për qind e votuesve nuk pëlqejnë të votojnë një kandidat që është “shumë i pasur” në krahasim me atë që nuk është. Ndërkohë, më pak se 20 për qind e tyre thanë se nuk do të votonin kurrë për një afro-amerikan.
Ndërkohë, banorët e Virxhinias janë të bombarduar nga reklamat e demokratëve që tregojnë investimet e Mitt Romneyt në parajsën fiskale të ishujve Kajman dhe refuzimit të tij për të publikuar deklaratën fiskale.
Romney është ish-drejtor i një kompanie private investimesh dhe ka pasuri personale prej 250 milionë dollarë. Ai ka kundërshtuar vazhdimisht akuzat se nuk ka paguar pjesën që i takon në formë taksash nga të ardhurat e veta. Ai thotë se sulme të tilla bëhen për të shmangur diskutimin nga tema më e rëndësishme, ajo se sa e keqe është gjendja e ekonomisë sot. Por njerëzit mbajnë mend një shkëmbim batutash mes tij dhe guvernatorit superpasunar të Teksasit, Rick Perry, ku Romney dëgjohet të thotë se duhet të pyesë gruan për të mësuar numrin e saktë të makinave kadillak që disponojnë.
Por suksesi i tij si biznesmen është gjithashtu tërheqës për shumë konservatorë të jugut. “Nuk dua të shikoj një të pasur të dënuar për shkak se ka qenë i suksesshëm në jetë”, thotë Cory Beaver, 26 vjeç, kamerier restoranti. “Obama ka tendenca socialiste”, thotë ai.
Kundërshtimi që Romney u bën martesave gej dhe premtimi i tij për përmbysjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për t’u lejuar grave të abortojnë, i japin mbështetje në “Brezin e Biblës” më shumë sesa në pjesët e tjera të vendit.
I fokusuar në 11 shtete nga Virxhinia dhe Karolina e Veriut te Teksasi dhe Oklahoma, vrojtimi i Reuters/Ipsos pyeti 8690 familje me të ardhura nën 55 mijë dollarë në vit, pra nën mesataren amerikane.
Të bardhët johispanikë kanë mbështetur republikanët për më shumë se tri dekada dhe mes tyre Romney pëlqehet nga 46 për qind, ndërsa Obama nga vetëm 29 për qind. Gjithsesi, ndërsa fushata ashpërsohet, strategët parashikojnë probleme për të. Romney pritet të përqendrohet në pakësimin e mbështetjes që Obama gëzon mes njerëzve me ngjyrë dhe hispanikëve. Në zgjedhjet e kaluara, 80 për qind e tyre votuan për të.
Në Virxhinia, shteti ku mund të përcaktohet fati i zgjedhjeve, gara është tërësisht e hapur. Në këtë shtet papunësia është vetëm 5.9 për qind, shumë më pak sesa mesatarja kombëtare prej 8.1 për qind, gjë që punon në favor të Obamës.
Pjesë të mëdha të Virxhinias, ku gjenden edhe lagje të zonës metropolitane të Uashington D.C, e shohin qeverinë federale dhe vendet e punës të krijuara prej saj më shumë si mik sesa si armik.
Për Romneyn ka edhe një problem tjetër sa u përket votave të konservatorëve fetarë. Ai është mormon, ndryshe nga shumica e konservatorëve që i përkasin kristianizmit protestant. Sipas vrojtimit, 35 për qind e popullatës së “Brezit të Biblës”, thonë se nuk dëshirojnë të votojnë një kandidat që është mormon. Shumë evangjelistë normalisht votojnë për republikanët, por ata besojnë se mormonizmi është një kult dhe se mormonët janë poligamë, megjithëse kjo kishë prej shumë kohësh ka hequr dorë nga poligamia.