Ferrari ka hyrë zyrtarisht në epokën elektrike me prezantimin e modelit të saj të parë plotësisht elektrik, “Luce”, një automjet që po shkakton debat në industrinë automobilistike dhe reagime të forta në tregjet financiare.
Modeli u prezantua në Castel Gandolfo, pranë Romës, në një ceremoni ku morën pjesë Presidenti i Italisë dhe Papa Leoni XIV. Gjatë prezantimit, kreu i kompanisë John Elkann prezantoi veçoritë e makinës, ndërsa Papa u ul edhe në timonin e saj, duke pyetur nëse bëhej fjalë për Ferrarin e parë me katër dyer. Elkann sqaroi se modeli i ri është automjeti i parë i markës me pesë ulëse.
“Luce” vjen me rreth 1 mijë kuaj-fuqi dhe arrin shpejtësinë 0-100 km/h për vetëm 2.5 sekonda. Automjeti ka katër motorë elektrikë, nga një për secilën rrotë, ndërsa autonomia kalon 530 kilometra. Në tregun italian, çmimi i saj pritet të arrijë rreth 500 mijë euro.
Megjithatë, debutimi i modelit nuk është pritur pozitivisht nga investitorët. Aksionet e Ferrari ranë ndjeshëm në bursën e Milanos dhe në tregun amerikan, ndërsa ekspertët kanë ngritur dyshime nëse modeli ruan identitetin klasik sportiv të markës italiane.
Kritikat janë fokusuar kryesisht te dizajni, me analistë që theksojnë se mungesa e motorit tradicional dhe pozicionimi i baterive kanë ndryshuar pamjen karakteristike të Ferrari-t. Sipas tyre, automjeti duket më i lartë dhe më pak agresiv krahasuar me modelet ikonike të kompanisë.
Disa specialistë e kanë cilësuar “Luce” si një nga projektet më të debatueshme në historinë e Ferrari-t, duke vënë në pikëpyetje edhe strategjinë e kompanisë për t’u përshtatur me tregun e makinave elektrike luksoze.
Prezantimi i modelit vjen në një periudhë kur industria globale po përballet me sfida të mëdha në tranzicionin drejt elektrifikimit. Prodhuesit po investojnë miliarda euro në teknologjinë elektrike, por kërkesa e paqëndrueshme dhe konkurrenca e fortë vazhdojnë të krijojnë pasiguri në treg.
