Një incident i rëndë është regjistruar në bordin e një avioni të kompanisë Flydubai, që po udhëtonte nga Dubai drejt Tel Avivit, ku një pilot indian u sulmua me thikë dhe mbeti i plagosur rëndë.
Ngjarja ndodhi të mërkurën në fluturimin FZ1073, me 174 persona në bord. Rreth dy orë pas nisjes nga Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait, avioni humbi rreth 17 mijë këmbë lartësi dhe ekuipazhi sinjalizoi emergjencë, ndërsa u aktivizua edhe alarmi për rrëmbim.
Sipas raportimeve, pasagjerët dhe pjesëtarët e ekuipazhit ndërhynë për të ndaluar sulmuesin. Avioni arriti të ulej i sigurt në Arabinë Saudite, ku i dyshuari u vu në pranga dhe tashmë po merret në pyetje nga autoritetet.
Motivi i sulmit mbetet ende nën hetim, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë edhe mundësinë e një akti terrorist.
Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, ka deklaruar se do të kërkojë ekstradimin e të dyshuarit drejt Izraelit. Ai tha se do t’u kërkojë institucioneve përkatëse të përdorin të gjitha rrugët ligjore dhe diplomatike për ta sjellë atë përpara drejtësisë.
I dyshuari është me origjinë nga Omani dhe aktualisht ndodhet në Arabinë Saudite. Mungesa e marrëdhënieve diplomatike mes Arabisë Saudite, Omanit dhe Izraelit mund ta komplikojë procesin e ekstradimit. Sipas raportimeve të mediave izraelite, një mundësi është transferimi i tij fillimisht në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ndërkohë, një zyrtar i cituar nga mediat izraelite ka deklaruar se hetuesit po shqyrtojnë edhe pistën se i dyshuari mund të ketë pasur synim të rrëzonte avionin dhe të kryente vetëvrasje.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, gjatë një interviste për Fox News, tha se i dyshuari dyshohet se ishte radikalizuar dhe se gjatë incidentit u kishte thënë anëtarëve të ekuipazhit “më vritni”. Sipas tij, kjo mund të jetë një tregues se sulmuesi kishte ndërmend të vriste veten dhe të shkaktonte rrëzimin e avionit.
Netanyahu vlerësoi gjithashtu ndërhyrjen e pasagjerëve, të cilët ndihmuan në neutralizimin e sulmuesit dhe parandalimin e përshkallëzimit të situatës.
Në Emiratet e Bashkuara Arabe, Prokurori i Përgjithshëm Hamad Saif Al Shamsi ka urdhëruar ngritjen e një komisioni hetimor për të zbardhur rrethanat e incidentit me fluturimin FZ1073.
Paralelisht, Izraeli po zhvillon një hetim të veçantë dhe po shqyrton mundësinë e ndryshimit të disa procedurave të sigurisë në fluturime pas incidentit.
