Shkencëtarët paralajmërojnë se temperaturat globale pritet të mbeten në nivele rekord gjatë pesë viteve të ardhshme, ndërsa planeti mund të afrohet gjithnjë e më shumë me pragun kritik të ngrohjes globale.

Sipas një raporti të ri të publikuar nga World Meteorological Organization dhe Zyra Meteorologjike e Mbretërisë së Bashkuar, temperaturat mesatare globale gjatë periudhës 2026-2030 mund të arrijnë deri në 1.9 gradë Celsius mbi nivelet paraindustriale.

Ekspertët vlerësojnë se ekziston një mundësi prej 86% që të paktën një nga vitet e ardhshme të thyejë rekordin si viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë.

Raporti paralajmëron gjithashtu se ka 91% mundësi që të paktën një vit deri në vitin 2030 të kalojë pragun 1.5°C, kufi ky i vendosur nga Marrëveshja e Parisit për Klimën.

Sipas shkencëtarëve, megjithëse ekziston një mundësi që temperatura globale të tejkalojë edhe 2°C para vitit 2030, një skenar i tillë konsiderohet “jashtëzakonisht i pamundur”.

Ndërkohë, Arktiku pritet të ngrohet shumë më shpejt se pjesa tjetër e planetit. Analiza tregon se temperaturat dimërore në rajon mund të jenë rreth 2.8°C mbi mesataren e viteve 1991-2020.

Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu për dimra më të lagësht në Evropën Veriore gjatë viteve të ardhshme, duke rritur rrezikun e përmbytjeve dhe motit ekstrem.

“Ngrohja globale po vazhdon në nivele të rrezikshme dhe pasojat po bëhen gjithnjë e më të dukshme”, thuhet në analizën e publikuar nga organizatat ndërkombëtare.

Shkencëtarët theksojnë se viti 2024 ishte i pari që kaloi përkohësisht pragun 1.5°C, i ndikuar edhe nga fenomeni klimatik El Niño, i cili rriti më tej temperaturat globale.