Festa për triumfin historik të Paris Saint-Germain në finalen e Ligës së Kampionëve u shoqërua me episode tragjike në kryeqytetin francez. Dy persona humbën jetën pasi përfunduan në lumin Sena gjatë natës së festimeve, ndërsa autoritetet kanë nisur hetime për të sqaruar rrethanat e ngjarjeve.

Sipas Prokurorisë së Parisit, rasti i parë u regjistrua të shtunën në mbrëmje, kur shërbimet e emergjencës u njoftuan për një person që kishte rënë në ujërat e Senës në zonën e arrondissementit të pestë. Dëshmitarët deklaruan se ai ishte futur vetë në lumë përpara se të humbiste kontaktin me sipërfaqen.

Ekipet e shpëtimit arritën ta nxirrnin nga uji dhe ai u transportua në gjendje kritike drejt spitalit, por nuk mundi t’u mbijetonte plagëve. Viktima, sipas autoriteteve, ishte një 28-vjeçar me origjinë nga Ruanda.

Një tjetër ngjarje fatale u shënua të dielën në mëngjes, kur trupi i një burri u gjet në Sena pranë urës Louis-Philippe. Pavarësisht përpjekjeve të ekipeve mjekësore për ta rikthyer në jetë, ai u shpall i vdekur në vendngjarje. Edhe për këtë rast është hapur një hetim për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.

Mbrëmja e festimeve u karakterizua edhe nga incidente të shumta në rrugët e Parisit. Autoritetet raportuan një nivel trazirash më të lartë se në ngjarje të ngjashme të viteve të fundit, ndërsa një person tjetër humbi jetën në një aksident me motor gjatë natës.

Bilanci i ndërhyrjeve policore ishte i konsiderueshëm, me mbi 890 persona të arrestuar në të gjithë Francën, teksa festimet për suksesin europian të PSG-së u shoqëruan nga tensione, përplasje dhe incidente të shumta.