Një zjarr i madh u mori jetën rreth 40 personave dhe plagosi 100 të tjerë, në një lokal brenda një resorti skish në Zvicër. Shumë prej viktimave janë të paidentifikueshme për shkak të djegieve që kanë pësuar. Autoritetet kanë përjashtuar pistën e sulmit të qëllimshëm dhe po hetojnë shkaqet e mundshme të ngjarjes.
Sipas rrëfimit të dy vajzave franceze, kur shpërthyen flakët, të gjithë të pranishmit nisën të iknin duke bërtitur dhe vrapuar. Festa po zhvillohej në bodrumin e lokalit, ndërsa flakët u përhapën me shpejtësi në katin e sipërm.
“Dera e daljes ishte mjaft e vogël duke pasur parasysh numrin e njerëzve të pranishëm. Dikush theu një dritare për t’i nxjerrë njerëzit jashtë”, shpjegoi njëra nga vajzat.
Të rejat konfirmuan se zjarrfikësit dhe policia mbërritën brenda pak minutash.
“I kishim flakët vetëm një metër larg nesh, po të mos kishim ikur, me siguri do të ishim plagosur”, shtoi njëra prej tyre.


