Autoriteti i Shëndetit Publik i Suedisë ka njoftuar se janë regjistruar 21 raste me fruth, të lidhura me një festival muzikor të zhvilluar në veri të vendit. Rastet janë zbuluar në zona të ndryshme të Suedisë, por të gjitha kanë lidhje me festivalin e muzikës Urkult, i cili u zhvillua në veri të vendit në fund të korrikut dhe fillim të gushtit. Sipas autoriteteve shëndetësore, shumica e personave të infektuar janë nën moshën 18 vjeç, ndërsa pjesa më e madhe e tyre nuk ishin të vaksinuar kundër fruthit.

“Shpërthimet e fruthit janë të rralla. Vaksinimi kundër fruthit është pjesë e programit kombëtar të vaksinimit të fëmijëve dhe mbulimi i vaksinimit është rreth 95%”, deklaroi Autoriteti i Shëndetit Publik në një njoftim për shtyp.

Autoritetet rajonale të shëndetësisë kanë nisur identifikimin e personave që kanë pasur kontakt me të infektuarit, me synimin për të kufizuar përhapjen e virusit. Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse dhe përhapet kryesisht përmes pikave të frymëmarrjes, veçanërisht në ambiente ku ka grumbullime të mëdha njerëzish.