Një ngjarje e pazakontë ka bërë bujë në SHBA dhe ka ngjallur debat të fortë brenda komunitetit shëndetësor, pas një incidenti të ndodhur në spitalin Englewood Health në New Jersey. Një kirurg i këtij institucioni, Dr. Matthew Jung, ka dhënë dorëheqjen pasi u akuzua se “brohoriti” lajmin për vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk, ndërsa ndodhej në vendin e punës.
Ngjarja ndodhi të mërkurën, vetëm pak minuta pas publikimit të lajmit për vrasjen tragjike të Kirkut. Sipas raportimeve, Dr. Jung e shprehu publikisht “gëzimin” e tij në stacionin e infermierëve, duke bërë që infermierja Lexi Kuenzle të reagojë menjëherë.
“Si mund një mjek, që ka për detyrë të shpëtojë jetë, të festojë për vdekjen e dikujt?”, thuhet se e pyeti Kuenzle kirurgun, ndërsa ndodhej me një pacient në barelë dhe të paktën tetë infermierë të tjerë përreth.
Reagimi i mjekut, sipas Kuenzle, ishte edhe më tronditës. Ai thuhet të ketë thënë:
“E urrej Charlie Kirk-un. Ai e kishte të vështirë ta vuante. E meritonte.”
Pas kësaj përplasjeje, Kuenzle e raportoi incidentin te menaxhmenti i spitalit dhe postoi më vonë për ngjarjen në rrjetet sociale. Si pasojë, ajo u pezullua përkohësisht, ndërkohë që Dr. Jung vijonte punën.
Por ngjarja mori tjetër rrjedhë: më 16 shtator, Englewood Health njoftoi se kishte pranuar dorëheqjen e mjekut dhe se infermierja Kuenzle ishte rikthyer në detyrë.
“Infermierja pritet të punojë sipas orarit të saj të zakonshëm dhe nuk ka humbur asnjë pagesë,” tha një zëdhënës i spitalit për mediat amerikane.
Spitali gjithashtu mohoi zërat se ajo ishte pushuar nga puna dhe nënvizoi se mbetet i përkushtuar ndaj një ambienti pune “të sigurt dhe të respektueshëm për të gjithë”.
Ndërkohë, Kuenzle ka paditur spitalin dhe Dr. Jung në Gjykatën e Lartë të Qarkut Bergen, duke kërkuar dëmshpërblim të paspecifikuar. Në padi thuhet se ajo është pezulluar padrejtësisht pasi denoncoi një sjellje të papranueshme që bie ndesh me betimin mjekësor dhe etikën profesionale.