Task Forca e EULEX-it në Mitrovicë të enjten arrestoi katër veta në një operacion të përbashkët me Policinë e Kosovës në lidhje me një rast vrasje në Kroin e Vitakut.


“Dy të dyshuar u paraburgosën në lidhje me incidentin e dhunshëm i cili ndodhi në nëntor 2011 dhe i cili kishte për pasojë vrasjen e Savo Mojsiçit”, thuhet në komunikatën e EULEX-it. “Njëri nga të dyshuarit kishte në posedim armë dhe/ose municion pa autorizim të duhur. Dy persona të tjerë u arrestuan për posedim të paautorizuar të armëve dhe/ose të municionit”.


EULEX-i thotë gjithashtu se gjatë operacionit u bastisën tri shtëpi dhe u konfiskuan dy pushkë AK 47 me rreth 110 plumba, 1 revole me 5 plumba dhe 1 granatë dore.


“Bastisja u krye pa ndonjë incident”, thuhet në komunikatë. “Dy të dyshuarit dhe dy personat e arrestuar janë në mbajtje të përkohshme policore për 48 orë”.


Rastin po e heton një ekip i përzier i përbërë nga një prokuror i EULEX-it dhe një prokuror vendas i qarkut.


Marrë nga gazetajnk.com