Një burrë që filmoi veten duke ngrënë mish të gjallë të kafshëve për mediat sociale është arrestuar pasi hëngri një derr të ngordhur në një trotuar vetëm pak larg nga resorti i Donald Trump në Mar-a-Lago në Palm Beach. Policia tha se 27-vjeçari Jonathan Houston e solli trupin e derrit në një trotuar publik në zonën e plazhit në mes të qytetit.

Burri filloi të filmonte përpara se të fillonte ta kafshonte kafshën, duke i shqyer copa mishi përmes një çarjeje në qafë. Një dëshmitare që telefonoi 911 u tha oficerëve se e pa atë duke derdhur gjak në trotuar. Policia shpejt e gjurmoi Houstonin dhe e pyeti për atë që kishte ndodhur.

Ai pranoi se kishte ngrënë një derr të ngordhur dhe ia dorëzoi pamjet. Pjesë të videos u shfaqën më vonë në faqen e tij NSFW në Instagram. Sipas një dokumenti gjyqësor, policia vendosi që kishte shkak të mundshëm për të akuzuar Houstonin për krijimin e një “rreziku të mundshëm biologjik” duke derdhur gjak në një shteg publik.

27-vjeçari, i cili jeton në Clewiston, rreth 60 milje nga Palm Beach, u dërgua në burgun e qarkut me një garanci prej 2000 dollarësh. Ai është deklaruar i pafajshëm. Pas lirimit të tij, Houston postoi në Instagram duke pretenduar se ishte arrestuar për “derdhjen e një sasie të vogël gjaku” gjatë xhirimit të videos së tij. Ai pretendoi se prokurorët kishin kërkuar një garanci prej 100,000 dollarësh dhe “u përpoqën ta mbanin larg kompjuterëve dhe mediave sociale”.

Ai gjithashtu u përpoq të justifikonte këtë veprim, duke shkruar se konsumimi i pjesëve të kafshëve të papërpunuara “është një dietë tradicionale afrikane dhe spartanët pinin gjak derri”.