Duke nisur nga dita e sotme, furnizuesi rus i energjisë Inter RAO, nuk do të furnizojë më me energji elektrike rrjetin Fingrid në Finlandë.
Kompania e justifikoi veprimin duke thënë se arsyeja ka të bëjë me mos shlyerjen e pagesave përmes bursës së energjisë Nord Pol që nga 6 maji. Që nga kjo datë nuk kanë hyrë më pagesa në firmën ruse, njoftoi Fingrid duke iu referuar një deklarate të Inter RAO. Megjithatë, ky veprim shihet nga Finlanda si hapi i parë i Putinit, në kundërpërgjigje të kërkesës së vendit për anëtarësimin në NATO.
Udhëheqja e shtetit të Finlandës të enjten deklaroi se Finlanda në sfondin e ndërhyrjes ushtarake ruse në Ukrainë do të paraqesë kërkesën për anëtarësim në NATO.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha, se Rusia do ta konsiderojë një anëtarësim të Finlandës në aleancën ushtarake perëndimore “definitivisht” si kërcënim. Ministria e Jashtme në Moskë deklaroi, se e sheh veten të detyruar që të reagojë “ushtarakisht-teknikisht dhe në mënyra të tjera”.