Liderja e opozitës venezueliane, María Corina Machado, ka deklaruar se nuk ka pasur komunikim me Presidentin amerikan Donald Trump që nga muaji tetor, por premtoi se do të kthehet në Venezuela “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Në një intervistë për Fox News të hënën, Machado falënderoi përsëri Trump për “veprimet historike” që ai ka ndërmarrë kundër regjimit të Nicolás Maduro, duke e cilësuar 3 janarin si një ditë historike, kur SHBA arrestoi Presidentin Maduro dhe kur, sipas saj, “drejtësia mundi tiraninë”.

Megjithatë, Trump ka theksuar më parë se Machado “nuk ka mbështetje dhe respekt të brendshëm” për të udhëhequr Venezuelën, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara janë duke udhëhequr situatën në vend. Stephen Miller, këshilltar i lartë i Shtëpisë së Bardhë, ka mohuar idetë për ta vendosur Machado në pushtet, duke argumentuar se ushtria venezueliane nuk do ta pranojë atë si udhëheqëse legjitime.

Në vend të kësaj, SHBA-ja po punon me Delcy Rodríguez, aleaten e Maduros dhe presidente në detyrë, e cila ka premtuar të bashkëpunojë.

Machado, e cila ndodhet nën një ndalim udhëtimi për rreth dhjetë vjet, ka qenë e fshehur për më shumë se një vit, por udhëtoi në Oslo, Norvegji, në dhjetor për të pranuar Çmimin Nobel për Paqen. Ajo e dedikoi këtë çmim Donald Trump-it dhe shprehu dëshirën për ta falënderuar personalisht për arrestimin e Maduros. Machado shtoi gjithashtu se kishte folur për herë të fundit me Trump më 10 tetor, kur ishte njoftuar për fitoren e Nobelit.