Forcat iraniane të sigurisë kanë “arrestuar në mënyrë të dhunshme” fituesen e Çmimit Nobel për Paqen dhe aktivisten për të drejtat e grave, Narges Mohammadi, sipas fondacionit të saj. Fondacioni Narges tha se vëllai i saj konfirmoi se Mohammadi u arrestua në qytetin lindor të Mashhad, së bashku me aktivistë të tjerë. Fondacioni ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të 53-vjeçares dhe të aktivistëve të arrestuar bashkë me të. Irani nuk ka komentuar ende.
Mohammadi mori Çmimin Nobel për Paqen 2023 për aktivizmin e saj kundër shtypjes së grave në Iran dhe për promovimin e të drejtave të njeriut. Në dhjetor 2024, ajo u lirua përkohësisht nga burgu për tre javë për arsye shëndetësore, pasi ishte mbajtur në famëkeqin Burgun Evin në Teheran që nga viti 2021. Arrestimi i saj i fundit raportohet se ndodhi ndërsa ajo mori pjesë në një ceremoni përkujtimore për Khosrow Alikordi, një avokat i cili u gjet i vdekur në zyrën e tij javën e kaluar.
Grupi me bazë në Norvegji, Iran Human Rights, kishte kërkuar një hetim të pavarur për të përcaktuar si ka ndodhur vdekja e tij, duke thënë se rrethanat ishin “të dyshimta”. Disa aktivistë të tjerë u arrestuan gjatë ceremonisë, ku raportohet se mbanin slogane, përfshirë “vdekje diktatorit” dhe “jetë të gjatë Iranit”.
“E arrestuan Narges në mënyrë të dhunshme. Vëllai i avokatit e pa arrestimin gjatë ceremonisë. Ky akt shkel ligjet e të drejtave të njeriut dhe përbën një lloj hakmarrjeje. Kjo ndodhi sot në Mashhad dhe është shqetësuese sepse shtypja nga autoritetet është intensifikuar së fundmi”, është shprehur ai.
Mohammadi kishte akuzuar kohët e fundit autoritetet iraniane për përshkallëzim të represionit që nga armëpushimi i qershorit me Izraelin. Javën e kaluar, ajo shkroi një artikull për Time magazine rreth kontrollit të shtetit iranian mbi të gjitha aspektet e jetës personale dhe publike.
“Paqja e tyre prishët nga mbikëqyrja, censura, arrestimet arbitrare, torturat dhe kërcënimi i vazhdueshëm i dhunës”, tha ajo.
Ajo gjithashtu i kishte thënë Komitetit Nobel se kishte marrë paralajmërime nga “agjentët e regjimit” përmes kanaleve indirekte dhe nga avokatët e saj.
“Kërcënimet e përcjella ndaj Mohammadi tregojnë qartë se siguria e saj është në rrezik përveç nëse ajo angazhohet të ndërpresë çdo aktivitet publik brenda Iranit, si dhe çdo avokim ndërkombëtar ose shfaqje mediatike në mbështetje të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe lirisë së shprehjes”, thuhet ne deklaratën e Komitetit Nobel.
Gjatë jetës së saj, Mohammadi është arrestuar 13 herë dhe është dënuar me më shumë se 36 vjet burgim dhe 154 rrahje me shkop, sipas fondacionit të saj.



