Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në Bitonto, në rajonin e Puglias në Itali, ku një burrë rrezikoi të humbiste një fitore prej 1 milion eurosh pasi hodhi pa dashje në koshin e mbeturinave kuponin fitues të basteve.

Sapo kuptoi gabimin, ai u kërkoi ndihmë autoriteteve dhe kompanisë së pastrimit, të cilët nisën menjëherë një operacion kërkimi. Punonjësit arritën të identifikonin automjetin që kishte transportuar mbeturinat dhe kontrolluan zonën ku ato ishin depozituar.

Pas afro 48 orësh kërkimesh intensive mes grumbujve të mbeturinave, kuponi fitues u gjet, duke i dhënë mundësi pronarit të tërhiqte çmimin prej 1 milion eurosh.

Historia ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik në Itali, ndërsa roli i punonjësve të kompanisë së pastrimit rezultoi vendimtar për rikuperimin e biletës që vlente një pasuri.